Burg për autorin e vrasjes në Kuçovë, vrau bashkëfshatarin pas sherrit për borxhin

Gjykata e Beratit jep masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin Vangjel Polovina, që akuzohet për vrasjen e 41-vjeçarit Ajet Guneli në një lokal të fshatit Goraj në Kuçovë.
Polovina ka dalë sot përpara togave të zeza të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij. Ai ka hyrë në Gjykatën e Beratit nën masa të rrepta sigurie dhe seanca e masës së vlerësimit është zhvilluar pa praninë e mediave. Prokurori i çështjes, Dritan Gripshi, i ka kërkuar gjykatës vlerësimin e ligjshëm të arrestimit të Polovinës dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. I arrestuari Vangjel Polovina ka shprehur pendesë në seancë dhe ka deklaruar se vrasje ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, pas shumë kërcënimeve me jetë që i kishte bërë viktima.

Ka qenë gjyqtari Durim Hasa, ai që e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e Vangjel Polovinës dhe ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat. 44-vjeçari Vangjel Polovina akuzohet për “vrasje me paramendim”. Mëngjesin e së Enjtes ai vrau me 20 plumba kallashnikovi 41-vjeçarin Ajet Guneli Ajdini në një lokal në fshatin Goraj në qytetin e Kuçovës. Konflikti mes tyre kishte nisur disa ditë para vrasjes, për shkak të një borxhi të padhënë për një objekt (stallë derrash), që autori i vrasjes ja kishte marrë me qira viktimës.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.