Zaev i hap rrugë opozitës, pikat që nuk negociohen me Bullgarinë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit partisë më të madhe opozitare në vend, VMRO-së. Rezoluta e hartuar prej tyre në lidhje me vijat e kuqe në bisedime me Bullgarinë ka kaluar në Kuvend edhe me votat e Zaevit.

Opozita maqedonase ka kaluar në Parlament, me ndihmën e qeverisë së kryesuar nga Zoran Zaev, rezolutën për vijat e kuqe me Bullgarinë. Palët politike maqedonase janë bërë bashkë për të përcaktuar pikat të cilat nuk do të negociohen edhe nëse Bullgaria do të vendosë veto për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Rezoluta e propozuar nga VMRO-DPMNE-ja në opozitë i obligon institucionet që të mos negociojnë me palën bullgare lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.

95 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar me anë të kësaj rezolute që respektohen studimet shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore, kulturore. Të respektohen studimet shkencore, sipas të cilave, gjuha maqedonase dhe dialektet e saj kanë vazhdimësi hapësinore dhe kohore. Të zbatohen konventat dhe deklaratat ndërkombëtare pozitive dhe përgjithësisht të pranuara nga Kombet e Bashkuara për të drejtën e vetëvendosjes, si dhe të respektohet vullneti i shprehur lirisht dhe pa kushte për përkatësinë etnike të popullit maqedonas.

Më herët, në qershor, Zyrtarë të Bashkimit Evropian nuk e fshehën zhgënjimin për përpjekjet e dështuara për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, para përfundimit të presidencës portugeze të BE-së.

Mediet maqedonase citojnë ekspertëve të fushës, ku sipas tyre, kjo rezolutë mund të sjellë bllokim të aspiratës europiane të Maqedonisë së veriut për një kohë të gjatë.

Kjo rezolutë mund do të ketë ndikim në procesin e bisedimeve mes palëve, pasi Bullgaria ka miratuar një rezolutë të ngjashme, që angazhohet të mos heq dorë nga kërkesat drejt Maqedonisë së Veriut.

Shqipëria është e lidhur me Maqedoninë e Veriut në procesin e çeljes së negociatave me BE-në, ndaj edhe vendet kanë kërkuar që të ndahen nga njëri – tjetri për tryezën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.