Vuçiç: Rreziku i anëtarësimit të Kosovës në NATO nuk është naiv

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk mund të vlerësojë për momentin se sa real është rreziku që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, por, sipas tij, situata “nuk është aspak naive”.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha të dielën se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO është një nevojë urgjente, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

Duke folur në një ngjarje në Kragujevc të Serbisë, Vuçiç tha se ka dëgjuar për këtë ide rreth gjysmë viti më parë nga shërbimet e sigurisë serbe.

Sipas tij, kjo është “ide e lobistëve shqiptarë, e disa politikanëve nga Bashkimi Evropian dhe Amerika, që t’i detyrojnë vendet e BE-së, që janë anëtare të Aleancës [së NATO-s] dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë”.

Vuçiç tha se kjo mund të jetë “një justifikim për disa, që të thonë se duhet ta njohin Kosovën, sepse nuk kanë rrugëdalje tjetër” dhe se “nuk mund të jenë kundër kësaj”.

“Kjo do të ishte një përpjekje për të na vënë përpara një akti përfundimtar, për të na thënë se ju jeni të vetmit që keni mbetur për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç.

Katër vendet e BE-së e po ashtu edhe të NATO-s, që nuk e kanë njohur Kosovën, janë: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Qiproja është një tjetër vend i BE-së që s’e njeh pavarësinë e Kosovës.

Mehaj tha të dielën se Evropa dhe bota po përballen me një sfidë serioze të sigurisë, pas agresionit të rëndë të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ekziston nevojë e madhe që vendet demokratike të ndërmarrin hapa vendimtarë dhe të bashkohen përballë një sfide të tillë. Kosova ka treguar një përkushtim të fuqishëm ndaj vlerave demokratike dhe paqes. Ne u bëjmë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë, të mos hezitojnë ta bëjnë këtë”, tha ai.

Mehaj po ashtu përsëriti thirrjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë, për të forcuar, siç tha, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

Të njëjtën ftesë, Kosova ia dërgoi SHBA-së edhe në tetor të vitit 2021./REL/

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.