Vuçiç: Fola dy herë me Gjokoviçin, po na kërkon veç një gjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka folur edhe njëherë për rastin e tenistit Novak Gjokoviç, i cili duhet të deportohet nga Australia për shkak se nuk është lejuar të hyjë në vend për faktin se nuk ka paraqitur dëshmi të vaksinimit, apo sipas autoriteteve australiane, nuk ka dhënë prova të tjera të vlefshme.

Vuçiç tha se sot ka folur për herë të dytë me Gjokoviçin dhe se tenisti serb “vetëm i kërkoi Serbisë ta ndihmojë të largohet nga hoteli i tmerrshëm ku aktualisht po qëndron me emigrantë”.

“Ajo që kemi mundur të bëjmë, fola për herë të parë mbrëmë, sot në mëngjes për herë të dytë, në përputhje me marrëveshjet që kemi, Ana Brnabiç po qëndron veç në telefon, duke bërë lutje dhe duke kërkuar vetëm një gjë, ta lirojnë Novakun sa më parë nga ai hotel famëkeq”, tha presidenti serb.

Vuçiçi tha se Serbia po kërkon që Gjokoviç të vendoset në shtëpinë që ai kishte marrë me qira.

Presidenti serb nuk heziton që edhe këtë çështje ta lidhë me politikë.

“Ajo që nuk është e drejtë është se ka një ndjekje të përgjithshme politike në të cilën marrin pjesë të gjithë, që nga kryeministri australian.”

“Kam biseduar disa herë me babanë e Novak Gjokoviçit, të gjithë po bëjmë gjithçka që mundemi, por kam frikë se kjo përmbysje politike do të vazhdojë që të dëshmojnë disa gjëra të tjera. Kur nuk mund ta mundësh dikë, atëherë merresh me gjëra të tilla”, tha Vuçiç.

Tenisti serb po mbahet në Park Hotel, një ndërtesë që përdoret nga Qeveria e Australisë për ndalimin e emigrantëve në vend, pasi atij iu refuzua hyrja në Australi të mërkurën.

Gjokoviç ishte paraparë të luante në Grand Slam-in e parë për këtë vit në Australian Open. Atij i është thënë se do të dëbohet nga shteti, por avokatët e tij thanë se do ta apelojnë vendimin.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.