VMRO-DPMNE ultimatum ndaj Zoran Zaev për dorëheqjen

Nëse të hënën deri në orën 14.30 nuk e dorëzon dorëheqjen, qeverisë do t’i iniciohet mocion votëbesimi, ky është ultimatumi që VMRO DPMNE-ja dha të hënën për kryeministrin Zoran Zaev. Kreu i opozitës, Hristijan Mickoski i beson 61 deputetëve në nismën për shumicë të re parlamentare. “Do të jem preciz, deri ora 14:30 do ta dorëzojmë nismën për mocion votëbesimi ndaj kësaj Qeverie, derisa paraprakisht Zaev nuk e mban premtimin e tij për dorëheqje të parevokueshme”, ka deklaruar Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së. Mickoski thotë se dyshon në sinqeritetin e Zaev për dorëheqjen, duke shtuar se për shumicën e re nuk duhet shpejtuar.

“Ta kryejmë njëherë punën e parë, të shkelim në shkallën e parë e pastaj të ecim hap pas hapi. Ta kryejmë punën e parë dhe pastaj pasojnë procedurat, ligjet, ka Kushtetutë, e cila duhet respektuar. Nuk varet nga ne, por nga ai i cili duhet ta respektojë Kushtetutën, ta ndajë mandatin dhe të nisin procedurat. Por pres që si fillim Zaev ta mbajë premtimin që e ka dhënë, edhe pse personalisht nuk e pres një gjë të tillë”, vlerëson Mickoski.

Ai ka hedhur poshtë dhe i ka cilësuar si spekulime informacionet se deputetë të caktuar mund të tërhiqen nga firmat e dhëna për rrëzimin e Qeverisë. Sipas Rregullores së Kuvendit, propozimi për mocion votëbesimi ndaj Qeverisë vendoset në seancë plenare në ditën e tretë pas dorëzimit në Kuvend.

Kryeministri Zoran Zaev ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni si kryeministër në Kuvend, të cilën e paralajmëroi menjëherë natën e zgjedhjeve lokale kur partia e tij LSDM pësoi humbje të madhe. Nga LSDM thonë se VMRO-DPMNE po e tregon fytyrën e regjimit ende pa ardhur në pushtet.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.