Vendimi për MlladIçin/ Ministrja e Drejtësisë në Kosovë: Lajm i mirë

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka thënë se konfirmimi i dënimit me burgim të përjetshëm nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjë dhe Hercegovinës, Ratko Mlladiç, është lajm i mirë jo vetëm për familjet e viktimave, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare.

“Shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë. Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb”, ka thënë Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sipas saj, në këtë drejtim është e domosdoshme që autoritetet në Kosovë, krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatisim mirë edhe Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë.

Më 8 qershor, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiç për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar se vrasjet e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjë e Hercegovinës në Srebrenicë, kanë përbërë gjenocid.

Ndryshe, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë ka paralajmëruar se qeveria e tij do të përgatisë padi kundër Serbisë për gjenocid.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me atë se a duhet Kosova të synojë që një padi të tillë ta parashtrojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë apo në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se për ngritjen e një padie kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovë, mundësia ekziston, marrë parasysh faktin që krimet e luftës, përfshirë edhe gjenocidin, janë vepra, të cilat nuk mund të parashkruhen.

Por, sipas tij, në kuptimin formal, Kosova gjendet para vështirësive të caktuara, për shkak se pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mund të aplikojnë vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pjesë e së cilës Kosova nuk është ende.

Kurse, profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, cilido qoftë ai, në rast se Kosova eventualisht deponon padinë, do të kishte karakter vetëm këshillëdhënës dhe jo obligues. Marrë parasysh këtë dhe komplikimet tjera, Saliu ka thënë se Kosova do të veprojë drejtë në rast se padinë e tillë do ta ngreh në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).

REL

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.