Tensionet në veri të Kosovës, Presidenca konfirmon takimin e Osmanit me krerët e partive 

Pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, sulmet me shok-bomba dhe së fundmi edhe plagosja e një oficeri të policisë, institucionet e sigurisë në Prishtinë po vlerësojnë shtyrjen e procesit zgjedhor në katër komunat.

Ndërkohë presidenca ka konfirmuar sot se presidentja, Vjosa Osmani do të presë në takim partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubit Potok dhe Zveçan. Takimi pritet të mbahet rreth orës 14:30.

Megjithatë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sqaroi se është i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve dhe procesi po vazhdon sipas planit. Anëtarët pritet të mblidhen sot për certifikimin e kandidatëve të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje për Kuvend Komunal në Leposaviç.

Në orët e vona të së premtes, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se autoritetet kanë arrestuar dy serbë për sulme ndaj zyrtarëve policorë.

Autoritetet njoftuan se situata aktualisht në katër komunat, të banuara me shumicë serbe, është e qetë.

Ndërkombëtarët kanë dënuar ashpër incidentet e fundit. Zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi se Uashingtoni është i shqetësuar lidhur me ngjarjet e fundit, teksa ka bërë thirrje për uljen e tensioneve.

“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, është shprehur zëdhënësi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.