Takimi/ Kurti tregon 4 propozimet për Serbinë, tri u refuzuan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të sotëm me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, tha se, këtij të fundit i ka paraqitur katër propozime të reja.

Ndër to, ishte avancimi i marrëveshjes CEFTA në SEFTA, të nënshkruhet marrëveshje e paqes, të largohet nga delegacioni serb kreu i tij, Veljko Odaloviq, pasi udhëhiqte me Kosovën e okupuar dhe kjo lidhet me çështjen e personave të zhdukur, si dhe propozimi i fundit ishte reciprociteti bilateral.

Kurti shtoi se ky dialog është duke u zhvilluar për njohje të ndërsjellë, ndërsa ka paralajmëruar se takimi i radhës me palën serbe do të jetë më 25 korrik.

“Ne do të marrim pjesë në këtë proces, i cili është i vështirë. Përderisa pala tjetër fliste për ide të vjetra ne dhamë katër propozime të reja: Të avancojmë marrëveshjen CEFTA në SEFTA, për ta përdorur modelin e Litenshtajnit dhe Suedisë që kanë me BE-në. Propozimi I dytë është që Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë marrëveshjen e paqes, ku ne do t’i kontribuojmë paqes në rajonin tonë dhe më gjerë. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

Propozimi tjetër ishte çështja e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçalnik i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq. Propozimi ynë i katërt sa u përket pakicave ishte reciprociteti bilateral që është parim i përgjithshëm, ku në Kosovë ne duhet të kishim një këshill nacional, sikurse është në Serbi për shqiptarët dhe boshnjakët.

Tri propozimet tona të fundit u refuzuan. Për propozimin e parë nuk dhanë përgjigje. Unë shpresoj se do ta shqyrtojnë propozimin tonë në Beograd. Takimi i radhës do të jetë më 25 korrik. Ne, dialogun e shohim për njohje të ndërsjellë. Këtë e ka thënë edhe Presidenti Biden dhe ne plotësisht pajtohemi. Serbia ta njohë Kosovën edhe Kosova do ta njohë më pas”, tha kryeministri i Kosovës, Kurti. /Insajderi.com

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.