Qeveria e shtyn dhe 1 muaj afatin e targave në veri

Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’u japë afat shtesë për rreth një muaj për regjistrimin e automjeteve në veri, nga targat “KM”, “PZ”, “GL”, “PR” etj. në RKS.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë që është mbajtur të martën, ku afati që ishte deri më 30 shtator, është shtyrë për 30 tetor.

“Është miratuar plotësimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/85 të datës 29 qershor 2022, lidhur me afatin e regjistrimit të automjeteve me targa ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ ose ‘ëA’, që do të vazhdojë deri më 31 tetor 2022”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kosova dhe Serbia duhej të arrinin një zgjidhje afatgjatë për targat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, por kjo nuk ndodhi për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve.

Në anën tjetër, Serbia ka kundërshtuar ultimatumin e Qeverisë së Kosovës për tagrat, duke i mbështetur serbët e veriut që të mbajnë targat ilegale.

Çështja e targave si burim i tensioneve”

Grupi i Ballkanit për Politika në Prishtinë, ka konkluduar se marrëveshja e përkohshme për targat nuk përmend në mënyrë eksplicite targat e lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat ende përdoren në veri të Kosovës.

Kjo është publikuar në raportin për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, më 25 mars.

Tash për tash, regjimi i vendosjes së letrave ngjitëse të bardha vlen edhe për ato targa.

“Rrjedhimisht, disa argumentojnë se marrëveshja në mënyrë indirekte i ‘legalizon’ targa jolegale”, konkludon raporti, duke shtuar se “Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje për të vendosur marrëveshje afatgjata me Serbinë, përndryshe çështja do të kthehet sërish në burim tensioni”.

“Tensionet nga barrikadat e vitit të kaluar nuk janë zbutur”, paralajmëron Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Beograd. Rrjedhimisht, ai arrin në përfundimin se Prishtina dhe Beogradi nuk do të arrijnë një marrëveshje për targat.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.