Deputeti i PE: Nëse prek Kosovën, Serbia do digjet

Deputeti i Parlamentit Evropian, Angel Chavdarov Dzhambazki, ka paralajmëruar Serbinë se do të digjet, nëse luan me zjarrin.

Përmes një postimi në “Twitter”, deputeti shkruan: “Serbia po luan me zjarrin. Nëse Vuçiç nuk kontrollohet, ata do të digjen. Ne qëndrojmë me Kosovën”.

Reagimi i tij vjen 1 ditë pas tensioneve në veri të Kosovës, të shkaktuara nga marrëveshja për reciprocitetin e targave.

Çfarë ndodhi në veri

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit, kjo pasi serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë-kalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak. Shtyrja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona të 31 korrikut, me Presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.

Policia konfirmoi se, në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u keqtrajtuan në kufi. Në disa vende, policia tha se është qëlluar edhe ndaj njësiteve policore, por që nuk ka asnjë të lënduar.

Në këtë situatë, dy pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje u bllokuan.

Prandaj Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i udhëzoi bashkatdhetarët të përdorin pikë-kalimet e tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.