Osmani nga Estonia: Nuk do të pranojmë kurrë ndryshim të kufijve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Estoni, ka deklaruar se Kosova është e vendosur që të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të ketë bashkëpunim me të gjitha vendet fqinje, por opsioni i ndryshimit të kufijve është i papranueshëm.

Këto deklarata Presidentja i bëri në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid.

“Kosova është e vendosur që të vazhdojë dialogun dhe ne kemi vazhduar të bashkëpunojmë me vendet fqinje, përfshirë Serbinë, e cila ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në rajon. Kjo fazë e dialogut është një kapitull i ri për Kosovën, por ne kemi linja të kuqë se çfarë nuk do të vihet në diskutim”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu presidentja Osmani deklaroi, se Kosova ka disa vija të kuqe, për çfarë nuk do të vihet në diskutim në takimet e Brukselit.

“Ne nuk e diskutojmë assesi statusin tonë final. Kosova është vend i pavarur. Po ashtu, lëvizjen e kufijve nuk do ta pranojmë në asnjë mënyrë. Nuk do të pranojmë në Kosovë as modele si ajo e Republikës Serbe në Bosnjë, sepse ne duam ta mbrojmë Kosovën. Këto konsensione ne i kemi bërë me planin e Ahtisarit. Një çështja e rëndësishme është edhe ajo e personave të zhdukur. Serbia duhet të tregojë se ku janë të zhdukurit”, ka deklaruar ajo.

Kujtojmë se Osmani po qëndron për një vizitë dy ditore në Estoni, ku do të pritet nga liderët shtetëror të këtij vendi, përfshirë Presidentin e Parlamentit, Jüri Ratas dhe Kryeministren Kaja Kallas.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.