Zhvillimet në Kosovë, Presidentja Osmani ndërpret vizitën në SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën në Shtetet e Bashkuara, për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, – bëri të ditur Presidenca e Kosovës.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok u dogj, ndërsa u sulmua edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve të para, aty janë hedhur dy bomba dore, por që “nuk kanë shpërthyer”.

Që prej 20 shtatorit, kur Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia, serbët kanë bllokuar dy rrugë pranë pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Për shkak të situatës së tensionuar, më 25 shtator, kryeministri Albin Kurti thirri një takim të Këshillit të Sigurisë.

Ndërsa për Presidenten Osmani Serbia është burimi “kryesor i destabilizimit në rajon”, ndaj ajo ftoi bashkësinë ndërkombëtare të veprojë.

Më 19 shtator, Presidentja Osmani udhëtoi drejt SHBA-së për të marrë pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.