“Nuk ka liberalizim të vizave!”. Ambasadori gjerman shuan shpresat e kosovarëve

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shuar shpresat e kosovarëve për liberalizim të vizave.

Rohde thotë se janë disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, që nuk i përmendi, të cilat nuk po binden që t’i thonë “PO” heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

“Gjithmonë i kemi thënë qeverisë kosovare se është e rëndësishme që të ulet së bashku me këto vende dhe t’i bindë ato. Në këtë aspekt, Kosova duhet të punojë. Bashkimi Europian përbëhet nga 27 vende anëtare dhe për vendime të gjitha duhet të jenë në bord. Ne po punojmë që kjo të ndodhë, por unë s’e besoj që kjo do të ndodhë para Krishtlindjeve”, tha Rohde në një intervistë për Klan Kosovën.

Që më 5 tetor, televizioni kishte raportuar se janë dy vende anëtare të Unionit që po hezitojnë të japin “aminin” për liberalizim të vizave.

Ato janë Franca dhe Holanda.

Madje, kryeministri i kësaj të fundit Mark Rutte i shkroi letër Parlamentit Europian, ku tregoi se Amsterdami zyrtar do nga Prishtina rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ambasadori Rohde tregon se Gjermania qëndron fort krah të Dërguarit të Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, diplomatit sllovak Miroslav Lajçak.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.