“Nuk favorizon Kosovën”, Vjosa Osmani nuk ndryshon qëndrim për Minishengenin
Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë e prerë, e qartë dhe me një qëndrim të pandryshuar sa i përket Minishengenit, ose ndryshe Shengenit Rajonal, një iniciativë që shkon para mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin Meta në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Tiranë, Osmani tha se ka shumë shpresa për ta bindur kryeministrin Rama që ky nuk është projekt që favorizon Kosovën dhe Shqipërinë.
“Sa i përket Minishengenit kam akoma të njëjtin qëndrim. Ia kam përcjellë kryeministrit Rama gjatë vizitës në nëntor dhe do ta përsëris të njëjtën gjë dhe nesër. Ka shumë argumente mbi bazën e të cilëve kemi ndërtuar atë qëndrim. Ka shumë shpresa për ta bindur kryeministrin Rama që ky nuk është projekt që favorizon Kosovën dhe Shqipërinë. Fatkeqësisht ai e bindi kryeministrin Hoti që ta nënshkruajë. Ajo çka do kërkoj është ta kemi dokumentin. Ne vetëm flasim, por nuk kemi asnjë dokument se çfarë është ky minishengen. Mendoj që nga fillimi është gabim. Kjo iniciativë nuk e ka përfshirë Kosovën nga fillimi, nuk është konsultuar Kosova. Presidenca nuk është njoftuar se çka zyrtarisht e ka qëllimin. Kemi iniciativa të tjera që përkundër mbështetjes së madhe ndërkombëtare, Serbia nuk i ka zbatuar. Mund të duket si një iniciativë që ka qëllimin e njëjtë por e mira do ishte të shkrihej në iniciativat e tjera. Kemi treguar dhe ofruar dorën e bashkëpunimit për gjithë rajonin, përfshirë Serbinë që nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. ne kërkojmë përfshirje të barabartë. Ajo çka kemi dëgjuar nga mediat për minishengenin, në masë të madhe i shkojnë në leverdi Serbisë se sa Kosovës e Shqipërisë”, deklaroi Osmani.
Sorry, the comment form is closed at this time.