Nisma që bashkon Kosovën dhe Bosnjen, Abazoviç: Nuk e di a është rruga e duhur

Zëvendëskryeministri malazez Dritan Abazoviç, në një intervistë për TV21, foli për nismat rajonale, “Ballkani i Hapur” dhe një nismë potenciale të re midis Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje -Hercegovinës.

Abazovic tha se nuk është kundër nismave.

“Nuk kam asgjë kundër iniciativave, mendoj se kemi një inflacion të iniciativave dhe nuk arrihet ai që duhet të jetë thelbi”- tha Abazoviç për RTV21.

Sipas Zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, thelbi është mënyra se si të përmirësohet bashkëpunimi, i cili, shton ai, do të krijojë disa marrëdhënie më të qeta sesa janë aktualisht në të gjithë rajonin.

“Pra, nuk jam i sigurt se, nëse fillojmë me dy nisma, do ta gjejmë atë modalitet, sepse kemi arritur një rivalitet nismash. Unë nuk mendoj se kjo është mënyra e duhur, por ne duhet t’i japim atij një shans. Unë mendoj se duhet të bëhet një iniciativë që do të ishte funksionale dhe do të krijonte mundësi që bashkëpunimi të bëhet konkret” – tha Abazoviç.

Më tej ai tha se në Malin e Zi ka ende ndikim të madh nga Rusia dhe Serbia, por shtoi se askush nuk mund të ndryshojë politikën e jashtme dhe kursin evropian.

Ai foli gjithashtu për tensionet e fundit në veri të Kosovës, dhe takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Abazoviç dërgoi një mesazh në emër të Qeverisë së Malit të Zi se ai dëshiron të shohë paqe dhe lumturi në secilin nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndër të tjera, ai vuri në dukje se i gjithë ndikimi negativ në disa prej këtyre vendeve i transmetohet Malit të Zi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.