Ndërkombëtarët në Kosovë: Respektoni masat anti-Covid
Ambasada britanike në Kosovë ka reaguar pasi partitë politike në Kosovë kanë filluar tubimet elektorale, duke theksuar rrezikun e shpërndarjes së virusit COVID-19.
Në një postim në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ambasada ka bashkëngjitur fotografi nga tubimi i sotëm i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit në Kaçanik, nga tubim me përkrahës të LDK-së, tubimet nëpër ambiente të mbyllura dhe një fotografi e Ramush Haradinajt në një hapësirë të mbyllur me përkrahësit e vet.
Ambasada ka thënë se zgjedhjet janë të rëndësishme, por janë shqetësuese për turmat dhe tubimet.
“Me miqtë dhe familjarët tanë të izoluar në Mbretërinë e Bashkuar, e dimë të gjithë se kjo pandemi nuk ka përfunduar dhe nuk duam ta shohim të njëjtën gjendje sërish për miqtë tanë në Kosovë. Këto zgjedhje janë të rëndësishme, por janë shqetësuese fotografitë që i kemi parë me turma dhe tubime, pa distancë sociale”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike.
Ambasada ka kërkuar nga të gjitha partitë politike dhe përkrahësve të tyre, t’u përmbahen masave të COVID-19, tani që fushata zgjedhore është hapur zyrtarisht.
Sorry, the comment form is closed at this time.