Mustafa ironizon Osmanin: Gati më shkuan lotët…

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratave të sotme të presidentes Vjosa Osmani, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku ajo tha se është e vetmja pjesëmarrëse në samit që i është dashur viza të shkonte në Bruksel. Ai ka fajësuar presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe Shpejtim Bulliqi që Kosova nuk mori liberalizimin e vizave në vitet 2015-2016.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka ironizuar me presidenten Osmani, duke thënë se “gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Bruksel”.

Ai gjithashtu ka thënë se dy bllokuesit e liberalizimit të vizave, Osmani dhe Macron u takuan sot në Bruksel.

“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Brukse. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut!

Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit.

Sa njeriut të sëmurë, të papunë e nevojtar për të shkuar në perëndim i është refuzuar viza, e kjo nuk i ka brengosë këta që sot janë në pushtet. Edhe disa në opozitë!

Por, këtyre në vend të liberalizimit duhet tu epen medalje për mashtrim të popullit. E lanë pa viza, e ua morën mbi 5o përqind të votave.

Aferim!”, ka shkruar Mustafa.

Shumë liderë europianw janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit tha se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.