Ministri i Jashtëm serb: Kroacia na fyeu për çështjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Nikolla Selakoviç ka reaguar pas deklaratës së zyrtarit kroat në lidhje me apelin që bënte vendeve të BE për njohjen e Kosovës.

Një ditë më parë ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman tregoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nuk po ndërtohen, por se ato janë të brishta dhe të ngarkuara me disa gjëra nga e kaluara.

Sipas Selakoviçit, kjo nuk është rruga që duhet ndjekur.

“Heshtja jonë tregon se sa jemi të gatshëm të durojmë dhe kështu të investojmë në të ardhmen. Nëse dikush mendon se duke e fyer Serbinë ai do të arrijë të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve të përbashkëta mes Serbisë dhe Kroacisë, gabon shumë. Ne nuk heshtim para gjërave të tilla”, ka thënë në një deklaratë për mediat në Turqi Selakoviç.

Ndër të tjera ai ka thënë se Serbia do t’i theksojë interesat e saj.

“Nëse nuk jeni dakord me këtë, atëherë nuk keni pse të na fyeni. Mund ta provoni, por ne nuk do të heshtim për këtë. Ka shumë gjëra për të cilat Beogradi dhe Zagrebi duhet të flasin, ka çështje të hapura, por nëse mendoni se po flasim për të në mënyrën e duhur, për t’i zgjidhur çështjet, atëherë ju nuk do ta hapni një dialog të tillë duke na fyer”, tha Selakoviç.

Ndërkohë në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratislavë, kryediplomati kroat Gordan Grlić Radman u bëri thirrje pesë vendeve të mbetura të BE-së që ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë, duke shpjeguar se kjo do të kontribuojë në stabilizimin e rajonit.

Kosova nuk njihet si shtet nga pesë vende anëtare të BE-së: Qipro, Greqianë, Rumania, Spanja dhe Sllovakia.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.