Mali i Zi/ Protestë kundër marrëveshjes me Kishën Serbe

Para selisë së qeverisë të Malit të Zi, të hënën në mbrëmje u mbajt një tubim i qytetarëve, të cilët kundërshtuan paralajmërimin e kryeministrit Dritan Abazoviç se qeveria do të bëjë publike të enjten, tekstin e një marrëveshjeje me Kishën Ortodokse Serbe.

“Mesazhi ynë është i qartë. Kjo marrëveshje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, tha aktivisti për të drejtat e njeriut, Aleksandar Sasha Zekoviç.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Tuzi, Husein Gjokaj tha se shqetësimin e sheh të arsyeshëm.

“Ne u themi jo atyre që negociojnë fshehurazi fatin e vendit tonë në Beograd. Edhe një herë, për të disatën herë, ne do të qëndrojmë me vendosmëri prapa vendit tonë” – tha zoti Gjokaj.

Amar Borançiç nga Partia Liberale tha se kjo qeveri edhe një herë po mbjell dyshime në veprimet e veta.

“Qeveria duhet të garantojë të njëjtat të drejta për të gjitha bashkësitë fetare në përputhje me kushtetutën. Me marrëveshjen bazë po tentojnë të krijojnë shtet brenda shtetit dhe se një gjë të tillë nuk do t’u lejohet.

Sot ne mbrojmë të drejtën e çdo njeriu për të qenë i barabartë. I bëjmë thirrje qeverisë që më në fund të na ofrojë një rrugë evropiane në vend të kësaj mitomanie dhe ta çojë Malin e Zi në komunitetin e shteteve evropiane ku ka qenë gjithmonë “, tha Borançiç.

Studenti Jovan Baroviç, akuzoi qeverinë aktuale se po kapitullon para Kishës Ortodokse serbe.

“Ne nuk duhet të lejojmë nënshkrimin e këtij akti të kapitullimit, çështja e nënshkrimit të kontratës bazë është “çështje e integritetit tonë”, tha ai.

Protestuest mbanin pankarta të tilla si “Serbia po gllabëron Malin e Zi, do të jetë një luftë e vazhdueshme”,“Abazoviç kishat na i morët me ligj dhe tani me marrëveshjen bazë doni të na merrni ekzistencën dhe shpirtin”, “Tradhti” etj.

Protestuesit valëvisnin flamuj kombëtarë malazezë, si dhe flamuj të BE-së dhe NATO-s.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt mes qeverisë në Podgoricë dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke u munduar kështu të ulë disi tensionet që kanë përfshirë shtetin ballkanik.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, u shpreh më 29 qershor se pavarësisht fërkimeve në koalicion, qeveria e tij do të nënshkruante një “marrëveshje thelbësore” që do të përmirësonte marrëdhëniet e ndjeshme me Kishën Ortodokse Serbe.

Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës , analistët thonë se kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshi organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të Gjukanoviçit në vitin 2020./VOA

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.