Lavrov vizitë në Serbi: Rusia do të mbështesë vendimin që i përshtatet Serbisë
Bashkimi Evropian duhet të jetë i paanshëm në rolin e tij si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, pas takimit në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Pozicioni ynë është i pandryshuar. Ne jemi të përkushtuar për të kërkuar një kompromis bazuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (KB) dhe ne do të mbështesim vetëm një vendim që i përshtatet Serbisë”, tha Lavrov.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, falënderoi Rusinë për mbështetjen e saj në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të shtetit serb.
Për dialogun Kosovë-Serbi, ministri i Jashtëm i Rusisë, bisedoi edhe me ministrin e Jashtëm serb, Nikolla Selakoviç.
Rusia, tha Lavrov, shpreh keqardhje që Bashkimi Evropian (BE) nuk mund të ndikojë në përmbushjen e marrëveshjeve të arritura më parë, në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, para së gjithash, për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
“Ne besojmë se një qëndrim i tillë tregon pafuqinë karshi veprimeve të Prishtinës dhe ne ende i bëjmë thirrje BE-së që të kuptojë plotësisht përgjegjësinë për përmbushjen e asaj që u ra dakord me ndërmjetësimin e saj”, tha Lavrov.
Lavrov, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare në Serbi, deklaroi se Serbia dhe Rusia kanë një qëndrim të përbashkët se parimet e së drejtës ndërkombëtare duhet të respektohen.
Lavrov tha se gjatë takimit u diskutuan hapat e mëtejshëm të përbashkët të bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, OSBE-në, Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Ekonomik Euroaziatik.
Lavrov arriti në Serbi pas një vizite një-ditore në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sorry, the comment form is closed at this time.