Kurti takon Veliajn, diskutojnë për organizime kulturore dhe ekonominë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njëkohësisht edhe kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës, kanë pritur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, me të cilin kanë diskutuar ndër të tjera edhe për organizime kulturore që në vitin e ardhshëm do të mbahen në dy kryeqytetet.

“U bisedua edhe për ngjarjet kulturore që do të mbahen në kryeqytetet e të dy shteteve vitin e ardhshëm. Prishtina do të jetë nikoqire e biennales “Manifesta”, ndërsa kryeqyteti shqiptar i aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”. Kryebashkiaku Veliaj tha se këto dy ngjarje janë mundësi e mirë për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Në këtë takim me Veliajn kanë diskutuar edhe për pandeminë dhe ecurinë e procesit të vaksinimit në të dy shtetet.
Kryebashkiaku Veliaj u interesua për efektin e pandemisë në ekonomi, duke e vlerësuar rolin dhe vullnetin e diasporës së Kosovës për t’i kontribuar zhvillimit ekonomik”.

Nga ana e tij Kurti ka theksuar se “ekonomia ka filluar të shënojë ngritje dhe sipas projeksioneve rritja ekonomike do të arrijë në 7.9 për qind të bruto produktit vendor. Është shënuar progres edhe në eksporte dhe mbledhje të tatimeve”.

Ky takim me Veliajn vjen në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të garojë për komunën e Prishtinës. Ministri i Shëndetësisë ka thënë se do të bëjë maksimunin deri në tetor, kur edhe do të futet në zgjedhje lokale.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.