Kurti përkujton masakrat në Pejë dhe Gjakovë nga njësitë serbe

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kujtuar ditën e sotme masakrat e kryera në fshatin Lybeniq të Pejës nga njësitë paramilitare serbe të udhëhequra nga grupi ‘Çakejt’.

Masakra të kryera më 1 prill të vitit 1999. Gjithashtu masakra janë kryer edhe mesnatën e 1 dhe 2 prillit të 1999 në Gjakovë.

Nëpërmjet një statusi në ‘Facebook’ Kurti thekson se drejtësia e munguar e bën dhimbjen edhe më të rëndë dhe se këto masakra nuk harrohen kurrë.

Statusi:

Më 1 prill të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, njësitë paramilitare serbe të udhëhequra nga grupi “Çakejt”, rrethuan dhe me pas hynë në brendësi të fshatit Lybeniq të Pejës.

Pasi i tubuan banorët në qendër të fshatit, i ekzekutuan mbi 80 persona në mënyrën më mizore. Në mesin e të masakruarve kishte burra, gra e fëmijë. U vra edhe një foshnje 18 muajshe. U vra, masakrua dhe u zhduk edhe një grua shtatzënë.

Në mesnatën e 1 dhe 2 prillit 1999, në Gjakovë, u masakruan mbi 60 burra, gra e fëmijë. Anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi, bashkë me shtëpi u dogjën të gjallë e të vdekur. Në mesin e vrasësve kishte edhe fqinjë të tyre.

Drejtësia e munguar e bën dhimbjen edhe më të rëndë. Nuk i harrojmë kurrë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.