Kurti për “Ballkanin e Hapur”: Hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar sërish nismën “Ballkani i Hapur”, i ndërmarrë nga tre shtete, përfshirë dhe Shqipërinë.

Kurti ka theksuar për mediat në Kosovë, se problem kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i Presidentit Aleksandër Vuçiç me të kaluarën.

Ai thotë se tregu i përbashkët nënkupton demokratizim dhe sundim të ligjit për të gjitha vendet e përfshira, por pjesëmarrja e Kosovës, sipas tij, është e pamundur, për aq kohë sa Serbia nuk pranon të kaluarën kriminale.

“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë, e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20.

Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk mbeten në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, tha Kurti.

Duke komentuar edhe ndryshimin e emrit nga “Mini-Shengeni” në “Ballkani i Hapur”, Kurti tha se nuk është i entuziazmuar nga ky ndryshim, pasi ky emër nënkupton “hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze”.

“Në veçanti nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi duke qenë aty kreu i Serbisë – që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij – ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha ai.

Kurti siguroi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore, pa marr parasysh raporteve të krerëve shtetërorë.

“Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi që të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve”, tha ai.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.