Kurti në Vjenë: Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë për paqe

 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet që të nënshkruajnë një marrëveshje për të bërë paqe dhe mos ta sulmojnë njëra-tjetrën. Telegrafi shkruan se gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt në Vjenë, Kurti ka folur edhe për pandeminë e Covid, ku ka theksuar se deri tani Kosova e ka menaxhuar situatën me sukses, dhe se kanë vetëm 1 person të infektuar për 100 mijë banorë në ditë.

“Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë Covid-19. Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendos Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë Covid-19. Kosova me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi. Besimi qytetar në institucione është shumë i lartë. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet i kemi rritur për 66%, aktivitetin ekonomik (qarkullimin) për 15%, kurse të hyrat buxhetore për 30%. Kemi nevojë për më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara”, është shprehur Kurti.

Kurti në samit gjithashtu foli për dialogun me Serbinë, ku u shpreh se vendet duhet që të bëjnë një marrëveshje për paqe dhe se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet. 

“Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave,” ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti është shprehur se BE duhet që t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

“Duhet të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në”, përfundoi ai.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.