Referendumi/ “Kosova t’u lejojë serbëve të drejtën e votës”

Komuniteti ndërkombëtar tha se me keqardhje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar.

Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e cilësuan si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

Pas deklaratës së komunitetit ndërkombëtar, reagoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Ai tha se Kosova nuk ia mohon të drejtën e votimit asnjë qytetari serb, por kjo e drejtë, sipas tij, nuk mund të “manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin”.

“Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe”, tha Ahmeti përmes një postimi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 13 janar se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.

Ai ka thënë se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai drejton, “e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfardo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook../REL/

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.