Hoxhaj: Letra e Blinken, ftesë për moment të ri për Kosovën

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, tha sot se, letra e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, është ftesë për një moment të ri për Kosovën.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Hoxha thekson se koha kur është dërguar kjo letër dhe me përmbajtjen e saj që kryesisht merret me temat e jashtme dhe dialogun Kosovë-Serbi, ka qëllim të qartë që dialogun ta fokusojë në njohje të ndërsjellë.

Gjithashtu, sipas Hoxhajt, lista e temave që janë përmendur në këtë letër të Sekretarit Blinken, e bëjnë atë platformë të politikës së jashtme amerikane të vitit 2022.

“Në fillim të letrës të Sekretarit Blinken tregohet agjenda e SHBA-së në raport me Kosovën dhe pritet që kjo të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadorin Jeffrey Hovenier dhe të dërguarin e posaçëm Gabriel Escobar. Prandaj, duhet të merret shumë seriozisht”, shkruan Hoxhaj.

Sipas tij, kjo është një mundësi e re, e veçantë për Kosovën gjatë administratës së Presidentit Biden.

“Nëse nuk shfrytëzohet, është shans i humbur”, nënvizon Hoxhaj, duke shtuar: “Personalisht jam për shfrytëzimin e këtij momentumi – për të cilin partneri jonë kryesor strategjik SHBA është i vendosur të na mbështetë për ta përmbyllë shtetësinë tonë”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.