Hagë/ Gjykimi ndaj Salih Mustafës, flet sërish dëshmitari i katërt

Ditën e sotme në orën 9:30, në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca për dëgjimin e dëshmitarit të katërt në gjyqin kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Dëshmitari i katërt, i cili mban kodin W03594, ka deklaruar se është dërguar në një objekt mbajtjeje në Zllashë nga dy persona me maska ku, sipas tij, është trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

Gjykimi ndaj tij ka nisur më 15 shtator 2021 dhe gjatë seancave të mëparshme janë dëgjuar tre dëshmitarë të mbrojtur, fytyrat e të cilëve janë mbuluar dhe zëri është modifikuar për të mos lejuar identifikimin e tyre.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me akuzën se ka kryer krime lufte.

Kundër tij janë ngritur akuza mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë penale si epror për katër krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në paraqitjen para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.