Dialogu me Serbinë, Vjosa Osmani tregon kushtin që duhet të realizohet

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një intervistë për televizionin CNN ku është shpehur se kërkojnë drejtësi për vrasjet e kryera gjatë luftës nga Serbia dhe është zotuar se pasi të përfundojnë zgjedhjet së bashku me Albin Kurtin do të jenë të hapur për të biseduar me Serbinë, por kushti i vetëm është që të vendoset drejtësia në vend për krimet e luftës.

“Ne edhe formalisht do të fitojmë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ka qenë një dekadë e vështirë për ne. Ne kemi arritur me mbështetjen e ShBA-së të kemi njohje të shumta. Serbia pavarësisht krimeve në luftë, ende mohojnë, parakusht për ne është që të kemi drejtësi për vrasjet e njerëzve. Asnjë nga kriminelët nuk është dënuar. Kur të përfundojnë zgjedhjet unë dhe z. Kurti do të shfaqim vullnetin për të biseduar me Serbinë, por bota ka parë të vërtetën e luftës. Ne duam të lëvizim përpara, sepse njerëzit tanë e meritojnë këtë, por parakusht është që të vihet drejtësia në vend”, ka thënë Osmani.

Ndërsa e pyetur për presidentin Thaçi në lidhje me akuzën që i është bërë për krime lufte dhe që aktualisht ndodhet në Hagë ajo u shpreh se beson tek drejtësia e ndërkombëtarëve dhe tek e vërteta që Serbia ka kryer krime lufte në Kosovë dhe e vërteta nuk mund të ndryshohet.

“Ai është në Hagë, ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare dhe ne besojmë në të vërtetën e vetme që Serbia ka kryer krime në Kosovë. Kosova do të pres që Gjykata Speciale të përfundojë punën, por siç thashë e vërteta nuk mund të ndryshohet”, është shprehur Osmani.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.