Dialogu Kosovë-Serbi/ Lajçak: Ai është politik, i ka sjell shumë përfitime Prishtinës

 I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak është shprehur se dialogu mes dy vendeve nuk është teknik, pasi çdo gjë aty është shumë politike.

Në një takim të organizuar online nga European Policy Centre, Lajçak ka thënë se dialogu me Serbinë, i ka sjell shumë përfitime Kosovës, pasi prej saj, ajo ka kontrollin e plotë të gjithë territorit të saj. 

“Dialogu me Serbinë i ka sjell Kosovës shumë përfitime. Përmes këtij dialogu sipas tij Kosova ka kontrollin në të gjithë territorin dhe kufijtë e saj, pastaj ka fituar kodin telefonik +383 dhe prezentim si palë e barabartë në nisma rajonale. Dua të them se nuk ka asgjë si dialog teknik, nuk ka çështje teknike, çdo gjë është shumë politike. Dëgjova kryenegociatorët në Bruksel, diskutuam për shumë orë gjatë dy ditëve, nuk kishte asnjë gjë teknike, çdo gjë ka ndikim politik. Dialogu është politik”, tha ai.

Ndërsa, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon ka thënë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë synimi i marrëveshjes finale të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Njohja e ndërsjellë duhet të jetë synimi, çdo gjë tjetër do të ishte zhgënjim, mendoj se e kemi bërë këtë të qartë. Shpresoj që kur të vijmë afër fundit të negociatave, të kemi shtet tjetër që e njeh Kosovën e më pas të gjejmë proces kë në fund BE-ja si tërësi do të pajtohet po ashtu”, ka thënë Von Cramon.

Nga ana tjetër, i dërguari Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, u shpreh se SHBA do t’i përkrah të dy vendet në tentativate e tyre për anëtarësim në BE.

“Nga perspektiva jonë janë pjesë e Evropës, historikisht kanë qenë aleate, kanë ndihmuar të shtypin fashizmin. Kanë qenë neutrale në Luftën e Ftohtë, kanë ndihmuar për të mundur ekstremizmin, shumë shtete po ndihmojnë Afganistanin. Kanë ndihmuar Evropën në çështjen e migrimit gjatë konfliktit në Siri. Historikisht kjo pjesë e botës është Evropë, kanë diasporë të madhe që ndihmojnë në Evropë dhe SHBA”, tha ai.

Escobar deklaroi se shtetet anëtarë të BE-së duhet ta kuptojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e Evropës.

Anëtarësimi në BE sjellë benefite të mëdha. Një nga arritjet më impresive ka qenë zgjerimi i BE-së. Çdo shtet është bërë më demokratik, më stabil e prosperues. Mesazhi për njerëzit e rajonit është të keni zë në këtë komunitet që është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.