“Defender 21″/Kurti: FSK e gatshme ta mbrojë sovranitetin dhe territorin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në stërvitjet e FSK-së, “Defender Europe 2021” ka thënë se ushtarët e Kosovës janë të gatshëm sipas tij ta mbrojnë territorin dhe sovranitetin e vendit.

Kurti ka thënë se pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim dëshmon për synimin e Kosovës për një ambient të sigurt dhe paqësor në Evropë, mirëpo edhe më gjerë.

“Ushtarë, oficer ju përgëzoj për gjithë angazhimin vendosmërinë dhe profesionalizmin që treguat gjatë këtij ushtrimi që është me rëndësi për vendin tonë. Veçantia e ushtrimit ‘Defender 21’ lidhet me faktin që partneri ynë strategjik i dhanë besimin vendit tonë dhe forcës së sigurisë së Kosovës që për herë të parë të mirëpres një pjesë të këtij ushtrimi në territorin e Kosovës. Pjesëmarrja e FSK-së në ushtrimin Defender1 dëshmon për synimin e vendit tonë për të formësuar një ambient të sigurt dhe paqësor në Evropë dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Sipas tij, FSK është një forcë profesionale dhe kjo tregon që ajo është e aftë për të ndihmuar edhe në sigurinë kontinentale dhe globale.

“Profesionalizmi juaj vërteton që FSK-ja jo vetëm që është e vullnetshme, por është e aftë për të ndihmuar në sigurinë kontinentale e globale. Ndërveprimi në stërvitje është vetëbesim i shtuar. Gjatë këtij ushtrimi ju keni shtyrë kufijtë më të skajshëm me të vetmin qëllim që të dëshmoni që forca jonë është e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin tonë”, ka thënë Kurti.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.