Masat anti-Covid/ Kosova do të lejojë dasmat deri në orën 23:00
Autoritete shëndetësore në Kosovë kanë vendosur që dasmat të lejohen jo më shumë se deri në orën 23:00.
Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva ka dhënë disa detaje të reja në lidhje me manualin e organizimit të dasmave.
Sogojeva në një intervistë për mediat ka thënë se kanë pasur takime të vazhdueshme me qeverinë, me ç’rast grupet punuese kanë bërë përafrimin e manualeve të propozuara nga Qeveria dhe ODA e Hotelierisë dhe Turizmit.
“Rreth 95% e kërkesave tona janë përfshirë në manualin e qeverisë”, ka thënë ai.
Sogojeva thotë se rreth 30% e kapaciteteve të brendshme hoteliere do të mund të shfrytëzohen për organizimin e dasmave.
“Mesatarisht rreth 200 dasmorë do të mund të futen në ambientet e brendshme të hotelit.
Orari nuk do të ndryshojë. Dasmat do të mund të mbahen deri në ora 23:00, mirëpo me kalimin e kohës, besojmë në fillim të korrikut orari mund të shtyhet deri nga ora 1:00”, deklaroi Sogojeva.
Ai thotë se tashmë gjithçka është finalizuar, dhe vetëm pritet nënshkrimi i manualit.
“Në bazë të informative që kam, nesër do të mblidhet qeveria dhe do të votohet ky manual”, tha ndër të tjera Hysen Sogojeva.
Sorry, the comment form is closed at this time.