Ben-Meir: Që nga pavarësia, asnjë parti në Kosovë nuk ka program
Profesori i Universitetit në SHBA, Alon Ben-Meir, njëkohësisht edhe njohës i politikave të Ballkanit Perëndimor, ka theksuar se të gjitha subjektet politike në Kosovë, kanë mungesën e një programi politik efikas në këto 13 vitet e fundit, pra që nga respektivisht që nga shpallja e pavarësisë.
Ai ka përmendur edhe ikjen e të rinjve të diplomuar nga vendi, si rezultat i mungesës së vendeve të punës.
“Çdo qytetar kosovar duhet të kërkojë që secili kandidat të sigurojë një program të qartë dhe gjithëpërfshirës socio-ekonomik, që do ta vendosë publikun në një rrafsh të rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike, së bashku me reformat sociale dhe politike. Programet e tilla kanë munguar që nga themelimi i Kosovës në vitin 2008”, ka deklaruar ai.
“Të rinjtë dhe të rejat që iu pamundësua të futen në arsimin e lartë, përfundojnë duke u larguar nga vendi për shkak të mungesës së mundësive për punë. Sigurisht, progresi ekonomik lidhet drejtpërdrejt me këtë problem të dhimbshëm kombëtar”, thuhet në opinionin editorial të profesorit amerikan.
Krahas rekomandimeve për udhëheqësit politikë, ai ka pasur edhe një mesazh për qytetarët e Kosovës në prag të zgjedhjeve.
“Për të qenë të sigurt, kosovarët tani mund të ushtrojnë fuqinë e tyre elektorale për të parashtruar shqetësimet ndaj partive politike konkurruese dhe të bëjnë të qartë se vota e tyre nuk mund të merret më si e mirëqenë. Ata që duan të arrijnë majën e pushtetit duhet të kuptojnë të përdorin fuqinë e tyre për t’u shërbyer njerëzve, jo për të shfrytëzuar ata që u dhanë pushtet”, ka shtuar ai.
Sorry, the comment form is closed at this time.