A po i bashkohet Kosova “mini-Shengenit” ballkanik?

Miratimi i dy nismave nga Qeveria e Kosovës, për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga opozita në Kosovë po shihet si afrim me projektin e mini-Shengenit ballkanik, që u prezantua për herë të parë në tetor të vitit 2019.

Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se me këtë veprim, Kosova i është afruar projektit të “mini-Shengenit”.

“Mendoj se lëvizja e lirë, në mënyrën se si qeveria e ka kaluar në mbledhjet e saj, që një vizë vlen për gjashtë shtete të Ballkanit, është pikërisht ajo çfarë parashihet në katër liritë themelore të cilat do të duhej t’i promovonte ‘mini-Shengeni’”, tha Hoxhaj.

“Mini-Shengenin” e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ishte kundërshtuar nga kryeministri i tanishëm, Albin Kurti.

Derisa ishte kandidat për kryeministër, Kurti kishte thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për më shumë bashkëpunim dhe jo konfrontim.

“Parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin nismat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë shkon përmes Prishtinës. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, kishte shkruar Kurti.

Hoxhaj tha se Albin Kurti ka ardhur në pushtet përmes mashtrimit dhe gënjeshtrës dhe sipas tij, ai tashmë ka hequr dorë nga çdo qëndrim që e ka pasur deri më tani.

“Ne si Parti Demokratike e Kosovës e kemi kundërshtuar ‘mini-Shengenin’, e kemi parë çdoherë si një përpjekje për ta rikthyer Serbinë në qendër Ballkanit si një shtet vendimmarrës dhe një qëndrim të tillë e mbajmë dhe kërkojmë nga zoti Kurti, që realisht të jetë serioz dhe të tregojë rezon shtetëror, meqë nuk është në përputhje me interesat e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo nuk ka të bëjë asgjë me projektin e “mini-Shengenit” ballkanik.

“Zona e Novi Sadit është ide e (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit e që mbështetet nga ai. Nisma në fjalë, për të cilat tashmë janë krijuar grupet punuese për të dhënë komentet e tyre, derivojnë nga Samiti i Sofjes, që është në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky i fundit, pra Procesi i Berlinit, është ide e nismë e Berlinit zyrtar dhe ka mbështetjen e kancelares gjermane, (Angela) Merkel”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët nënshkruan një deklaratë më 10 tetor të vitit 2019 në Novi Sad të Serbisë.

Bashkëpunimi rajonal ekonomik rrit ekonominë në Ballkanin Perëndimor. /REL/

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.