PSE ASKUSH NUK TROKET NË DERËN E EDIT?!

Nga Skënder MINXHOZI

Ky pirg fletësh të firmosura në atë zyrë janë sot molla e madhe e sherrit që po dizintregon Partinë Demokratike, duke fokusuar çdo projektor mbi opozitën, e jo mbi punët e qeverisë.

Nëntë ditë pasi përkrahësit e Doktorit vunë mbi tryezën e Edi Palokës formularët për thirrjen e Kuvendit, askush në PD nuk ka mundur të gjejë një kompromis për të nisur verifikimin e tyre. Në të kundërt, Lulzim Basha shpejtoi të organizojë kongresin e tij një javë më pas, megjithëse të numërosh 4200 fletë letre është ku e ku më e lehtë sesa të thërrasësh 7500 burra e gra në Tiranë (vetë shifra, meqë ra fjala, është qesharake)!

Si është e mundur që një parti e madhe, e vjetër dhe që ka qeverisur vendin, të mos gjejë dot se çfarë kanë brenda 4200 fletë që ndodhen në selinë e saj qëndrore? Si mundet që bashistë dhe berishistë po shkojnë me zell dhe naivitet drejt një përplasjeje frontale që do të shkatërrojë partinë, e nuk ulen dot të flasin qetë e të gjejnë një kompromis në lidhje me statutin, formularët, Kuvendin dhe gjithë reston e sherrit që po rrënon sot imazhin e opozitës?

Përgjigja është fare e thjeshtë dhe gjendet në zyrën e zotit Paloka: sepse askush nuk do t’i japë fund vetë sherrit! Prandaj të gjithë i largohen asaj dere sot. Megjithëse të dyja palët shprehen të gatshme për të verifikuar delegatët dhe matur forcat në fushë të betejës, e vërteta është paksa ndryshe.

Në njërën anë berishistët, luajnë bllofin duke ftuar Bashën që të nisin verifikimin e fletëve, duke e ditur se ky i fundit do të thotë prerë “Jo”. Nëse Berisha do të donte transparencën e formularëve, e jo bllofin ndaj Bashës, mjaftonte të ftonte mediat e Tiranës në zyrën e Palokës e të niste vetë verifikimin e 4200 fletëve. Më tej akoma, nëse do të donte transparencën e jo bllofin, do të mjaftonte të paktën të afishonte në rrjet listën emërore të firmatarëve, duke njoftuar opinionin publik se cilët do të jenë protagonistët e 11 dhjetorit.

Berisha dhe të tijët thonë pas kamerave se po e bënë këtë gjë, Basha nis presionet dhe një pjesë e atyre që kanë firmosur mund të kthejnë mendje. Një tezë pak e besueshme, nga momenti që të gjithë e dinë që mes Berishës dhe Bashës, ai që ngjall më tepër frikë është i pari, jo i dyti.

Në anën tjetër, kemi shoun e zotit Basha në lidhje me fletët në zyrën e Edi Palokës. Ai ngul këmbë që fletët të dërgohen në sekretarinë e PD. Njëlloj si t’i varësh ujkut mëlçitë, do thoshin berishistët, sepse formularët e kuvendit s’mund të dërgohen në derën e një lidershipi partiak që ka thënë me dhjetra herë se “nuk do të ketë Kuvend antiamerikan”!

Arsyet e vërteta të këtij bllofi dypalësh në lidhje me 4200 formularët në zyrën e Palokës, janë të tjera dhe janë më banale.

Sali Berisha e di që ka shumë formularë të rregullt në atë kasafortë, por e di se ka edhe plot firma pa lidhje, nga persona që s’janë delegatë me tagër zyrtar, e ndoshta edhe firma militantësh të marra nëpër kafene me një të shtrënguar dore e pa e ditur se përse bëhet fjalë. Mediat kanë dhënë shembuj konkretë këto ditë në lidhje më këtë gjë. Berisha e di se shifra 4200 është shumë e bukur për të qenë e vërtetë.

E di dhe Lulzim Basha këtë gjë, i ka të gjitha informacionet. Pra që Doktori nuk ka në kasafortë aq sa thotë. Po pse atëhere nuk shkon me vrap t’i numërojë ato fletë, e ta nxjerrë Berishën mashtrues?! Fare e thjeshtë. Sepse Luli di gjithashtu se Berisha ka më pak se 4200 firma në zyrën e Edi Palokës, por me gjasë mund të ketë më shumë se 1800 të tilla. Pra, mund ta thërrasë Kuvendin e jashtëzakonshëm. Dhe kjo i rrëzon Bashës çdo dëshirë që të nisë demaskimin e Doktorit për fletët e parregullta. Pasi nëse Kuvendi i Berishës merr dritën jeshile, karriera politike e Lulzim Bashës mbyllet.

Ky ekuacion lëvizjesh taktike i mban sot të gjithë larg zyrës së Edi Palokës. Duan më mirë secili Kuvendin e vet, për të kënduar fitore, sesa të gjejnë një zgjidhje që të shpëtojnë partinë. Fatet personale të dy burrave po shkërmoqin sot indin e Partisë Demokratike, po bjerrin imazhin e saj publik, po rrëzojnë përtokë autoritetin që ka pasur dhe ka tek një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar. E meqë kjo luftë nuk mbaron as në 11, e as në 18 dhjetor, shanset janë që dy dasmorët që tundin shaminë e valles, të vazhdojnë të kacafyten edhe më tej mbi rrënojat e partisë. Në Parlament, ku do të jetë edhe destinacioni final e afatgjatë i kësaj përballjeje gjelash.

Ndërkohë zyra e Edi Palokës vijon të mbetet e pavizituar nga askush që ka në dorë të zgjidhë krizën. Epiqendra procedurale e sherrit po lihet mënjanë qëllimisht që konflikti të mos zgjidhet. Sepse e vërteta është ajo që ka më pak peshë në këtë mishmash në PD, ku thelbi i krizës lidhet jo me daljen prej saj, por me eleminimin e tjetrit përballë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.