NJË ZGJIDHJE PËR OPOZITËN

Lutfi DERVISHI

Zhvillimet e sotme në opozitë kanë brengosur jo vetëm anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e opozitës, por mbi të gjitha kryeministrin e vendit.

Shqetësimin e madh, kryeministri e bëri publik pa i mbushur 24 orë nga 8 janari i zhurmshëm, ku të “dy palët” edhe sot e kësaj ditë janë të palëkundur në pozicionin e tyre.

Ata që ishin jashtë thonë se nuk pati kurrfarë dhune dhe ata që ishin brenda betohen për qiell e për dhé se selia qendrore e PD nuk ka patur dyer të blinduar.

Prokurorët që po hetojnë çështjen kanë konstatuar me kënaqësi se ata që ishin jashtë i njohin të gjithë ata që ishin brenda dhe ata që ishin brenda njohin vetëm ata që ishin jashtë.

Në këto kushte ishte ndërhyrja vendimtare e Kryeministrit që sakrifikoi edhe ditën e diel për një bashkëbisedim të sinqertë me demokratët.

Ndërhyrja e kryeministrit çmohet shumë në opinionin publik, sepse që nga ajo ditë ka një ulje të tensionit dhe përjashto dy-tri incidente të vogla demokratët nuk kanë sulmuar më njeri-tjetrin!

Duke qenë i ndërgjegjshëm se një qeveri pa një opozitë të fortë i ngjan njeriut që zgjohet çdo mëngjes për në pune, por nuk shkon në punë se i mungon pasqyra për t’u parë, kryeministri ka vendosur si qëllim parësor forcimin e opozitës dhe për një kohë të pacaktuar të merret me drejtimin e opozitës, pavarësisht se është votuar për të qeverisur.

Kryeministri nuk do ta braktisë qeverisjen se ky akt do të ishte i barasvlershëm me konsumimin e një tradhëtie të lartë.

Në kushtet kur SPAK është në përgjim dhe një gjë të vogël pret të bëjnë zyrtarët e ministrat dhe është gati t’i vërë prangat, kryeministri nuk ka ndërmend të konsumojë nenin 258 të Kodit Penal për shpërdorim detyrë, por në anën tjetër nuk i bën zemra të lërë opozitën pa kryetar.

Kështu që për të qenë në rregull me ligjin drejtimin e opozitës do ta bëjë nga e premtja në drekë, të shtunën dhe të dielën. Kryeministri gjithashtu zotohet që çdo ditë tjetër pushimi do t’ia kushtojë opozitës.

Riorganizimi, një program i mirë, premtime të besueshme dhe protesta masive ndaj keqqeverisjes janë disa nga piketat që ka fiksuar kryeministri.

Nga e premtja deri të hënën janë dy ditë të plota ndërsa nga e hëna në të premte janë 5 ditë dhe në dukje ka një zhballancim në raportin qeverisje-opozitë. Por duke patur parasysh se kryeministri të hënën dhe të martën merret me çështje globale si ngrohja e klimës, terrorizmi, afganët, holokausti, pandemia, përplasja Rusi- Ukraine etj – opozita del më e avantazhuar në vëmendjen e kryeministrit.

Avantazhi thellohet kur llogarit se të mërkurën Kryeministri e ka pushim dhe qeverinë (e mërkura është dita e mbledhjes së qeverisë) në mungesë dhe porosi e drejton Arben Ahmetaj.

Mbetet e enjtja dhe e premtja paradite. Dy ditë në javë kryeministri ua kushton çështjeve globale, një ditë (zakonisht të enjten) ia kushton problemeve rajonale, si ‘Ballkani i Hapur’ dhe ndonjëherë dhe problemeve me fuqitë rajonale si Turqia. Pra, kryeministrit i mbetet për qeverisjen vetëm gjysëm dite. Kështu që kritikët nuk kanë argument për të thënë se me shumë kohë i kushton qeverisë se opozitës.

Afermendsh që vëmendja e kryeministrit ndaj opozitës do të vij duke u ulur. Por ky është një proces dhe varet sa shpejt do të forcohet opozita.

E sigurtë është se në momentin që opozita bëhet një alternativë e besueshme qeverisëse, kryeministri do të heqë dorë nga parrulla: opozita nuk po na qeveris mirë, parrullë kjo që ka zënë rrënjë në jo vetëm në mendjen e votuesve, por edhe të protestuesve.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.