… NA ISHIN NJË HERË BABUSHKAT

Nga Fatos TARIFA

“Shqipëria është në rrezik!” U bënë muaj që këto fjalë i dëgjojmë thuajse çdo ditë nga goja e Sali Berishës dhe e disa “demokratëve”, të cilët, pavarësisht moshës, i ngjajnë shumë në mendësi, në fjalor dhe në sjellje patriarkut të tyre.

Nuk e di pse, por kur shoh e dëgjoj disa prej tyre, më vijnë ndër mend babushkat ruse, kukullat me të njëjtën formë, me të njëjtën fytyrë e me të njëjtat ngjyra, por të përmasave të ndryshme, që futen e mbyllen sipas madhësisë brenda kukullës së madhe, Babushkës plakë.

Mund të kenë një profesion, mund të kenë pasionet e tyre, mund të kenë aftësi në fusha të veçanta, por nuk kanë një identitet të vetin politik—janë thjesht babushka. Për ta mendon Babushka plakë; ata vetë nuk kanë një mendim ndryshe, por mendojnë si ajo dhe flasin me gjuhën e saj dhe për interes të saj. Edhe nëse thonë ndonjë fjalë ndryshe, ata përsëri mbeten thjesht babushka të vogla—njëra më e vogël se tjetra

Nga nuk na vjen rreziku

Babushka të tilla made in Albania kanë vënë sot alarmin se “Shqipëria është në rrezik!”. Disa prej tyre thërrasin: “Të shpëtojmë kombin!”. Por asnjëri nuk thotë, as Berisha vetë dhe as Meta që ka “lidhur besë” me të, se çfarë rreziku i kanoset realisht Shqipërisë dhe nga çfarë, ose nga kush duhet ta shpëtojmë kombin tonë sot, në dekadën e tretë të shekullit të 21-të. Nga cila perandori! Nga cili pushtues i huaj? Nga cili rrezik?

Shqipëria sot nuk është një provincë e ndonjë perandorie të madhe, as një vend i pushtuar nga ushtri të huaja. Nëse Shqipëria është sot vërtet në rrezik dhe nëse populli i këtij vendi duhet “shpëtuar”, siç nuk rreshtin së thëni çdo ditë Berisha dhe babushkat e tij, për mua, Shqipërisë rreziku i vjen nga vetë shqiptarët. Ky vend duhet shpëtuar nga ata njerëz që e vënë në rrezik gjithçka të mirë që është arritur deri më sot dhe të ardhmen e tij.

Ky rrezik nuk na vjen nga Rusia, as nga Kina, as nga Serbia, as nga qeveria që e drejton sot këtë vend. Qeveria shqiptare ka një orientim të qartë e të vendosur euroatlantik dhe vendosmërinë për të vepruar në përputhje me vlerat dhe parimet euroatlanticiste. Kjo qeveri, ashtu si dhe ato të mëparshmet, sigurisht, mund të kritikohet dhe duhet kritikuar për shumë punë që nuk i ka bërë siç do të ishte dashur të bëheshin.

Por, nuk ka dyshim se gjatë viteve të qeverisjes socialiste, Shqipëria ka bërë përpara dhe është sot një vend më i përparuar sesa 20 ose 10 vite më parë. Edhe nëse ka njerëz që mendojnë ndryshe, fjalët e mia nuk do të bënin kurrfarë efekti nëse ata nuk arrijnë të shohim—ose refuzojnë të shohin—përparimet që janë bërë.

Shqipërisë nuk i vjen rreziku nga kryeministri Edi Rama, siç çirren kundërshtarët e tij politikë Berisha dhe Meta. Ky kryeministër ka kusuret e veta. Ai mund të kritikohet e të mbahet përgjegjës për shumë gjëra që nuk janë bërë siç do të ishte dashur të bëheshin, ose siç do të kishin sugjeruar njerëzit e ditur dhe ekspertët e këtij vendi, jo thjesht disa qindra, ose mijëra njerëz që u përgjigjen disa pyetësorëve.

Unë mendoj, gjithashtu, se ky kryeministër, i cili, për afro një dekadë drejton qeverinë së këtij vendi, duhej ta kishte kuptuar tashmë se për të në krye të Partisë Socialiste dhe të qeverisë the time is up. Ka ardhur koha që këtë vend ta drejtojnë njerëz të rinj, më të mençur dhe shumë më të ditur se sa këta që kanë drejtuar deri më sot, progresistë në pikëpamjet e tyre dhe atdhetarë të vërtetë.

Drejtimi i vendit ka nevojë jo thjesht për fytyra të reja, por për një frymë të re dhe për metoda vërtet demokratike qeverisjeje.

Berisha si rrezik

Nëse Shqipëria është sot në rrezik, ky rrezik, sipas meje, vendit i vjen kryesisht nga Berisha dhe nga reminishencat e politikave të shkuara që zbatoi ai. Me mendësinë dhe me metodat e tij bolshevike, Berisha një rrezik për Shqipërinë dhe për shqiptarët—jo thjesht një rrezik imagjinar, por një rrezik real.

Kjo është provuar në mëse një rast gjatë këtyre 30 viteve të fundit. Sa herë që Shqipëria ka qenë në rrezik, rreziku i ka ardhur nga qeverisja e Berishës, ose kur ai ka qenë në aktivitet opozitar të dhunshëm e destabilizues.

Celulat terroriste në vendin tonë me operativë të Alkaedës në mesin e viteve 1990, për të cilët informonte CIA në atë kohë; kataklizma ekonomike e shoqërore e 1997-ës; përpjekja e dështuar për grusht shteti në shtatorin e një viti më vonë; tragjedia e Gërdecit, vrasjet në bulevardin e Tiranës më 21 janar 2011—të gjitha këto kanë një mastermind dhe një përgjegjës të vetëm: Sali Berishën.

Si mundet të harrohen të gjitha këto! Vetëm njerëz të cilëve u është bërë brainwashing mund t’i kenë fshirë nga kujtesa e tyre këto ngjarje tragjike e kriminale dhe të kenë harruar se për to përgjegjësi kryesor është Berisha.

Retorika destruktive e Berishës, pseudonacionalizmi i tij, populizmi dhe aftësia e tij e pashterrur për intriga, për të kontaminuar politikën shqiptare dhe mjedisin shoqëror, për të përçarë dhe për të bërë dëm, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një rrez real për këtë vend.

Sikur…

Nëse pas katrahurës së 1997-s Berisha do të kishte dalë nga skena politike e shoqërisë shqiptare, PD-ja do të ishte bërë—dhe do të ishte sot—një tjetër parti politike, një parti më e hapur, më demokratike, më moderne dhe më largpamëse kur i është dhënë mundësia të qeveriste vendin dhe një parti më konstruktive e më premtuese në opozitë. Me Berishën, tashmë përsëri në krye të saj, kjo parti nuk ka se çfarë t’u ofrojë shqiptarëve për kohën që jetojme dhe për kohën që vjen.

Berisha mund të jetë ende në gjendje të mbledhë dhjetëra mijë njerëz në bulevard, por kjo nuk dëshmon shkallën e popullaritetit të tij dhe as e legjitimon atë në krye të opozitës shqiptare. Koha e Berishës ka shkuar.

Nëse Berisha nuk do të kishte prodhuar gjyqtarët dhe prokurorët e “Plepave” dhe nëse ai do të ishte larguar nga politika më 1997, Shqipëria do të ishte sot një vend më demokratik dhe, sigurisht, më i begatë, një vend me më pak korrupsion në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet dhe organet qeverisëse.

Të rinjtë e sotëm shqiptarë nuk e dinë se, pa Berishën, Shqipëria do të kishte pasur sot, veç të tjerash, edhe një linjë hekurudhore moderne, që do të ishte ndërtuar pas vitit 2005 nga korporata gjigande amerikane multinacionale General Electric dhe një tren të shpejtë që do të lidhte Tiranën me Rinasin dhe Durrësin. Berisha nuk e donte atë hekurudhë dhe nuk e lejoi ndërtimin e saj, duke e prishur në mënyrë të njëanshme kontratën e lidhur me GE nga një qeveri socialiste.

Për Berishën, Shqipëria do të ishte më mirë një vend pa hekurudha—në fakt i tërë rrjeti hekurudhor i Shqipërisë, rreth 450 km i gjatë, u shkatërrua në kohën kur në krye të vendit ishte Sali Berisha.

Ata që do të investojnë sot dy miliardë dollarë për të transformuar Durrësin dhe portin e tij nuk janë amerikanë; ata janë arabë—arabë që investojnë dhe ndërtojnë kudo në botë—por kjo, për Berishën, që kaq fort e kundërshton këtë projekt zhvillues, ka pak rëndësi. Berishën e tremb ndryshimi; atë e trembin progresi dhe modernizimi. Berisha dhe të ngjashmit e tij janë të burgosur të së shkuarës së tyre dhe të së shkuarës paramoderne të këtij vendi.

Berisha nuk do një Shqipëri moderne; ai do një Shqipëri folklorike, një Shqipëri të Kanunit. Kjo është një dëshirë antihistorike dhe antikombëtare. Në shekullin e 21-të nuk ka vend për një Shqipëri si kjo që dëshiron Berisha. Shqipëria që do ai ishte Shqipëria e djeshme, nuk është e sotmja dhe s’mund të jetë Shqipëria e së nesërmes.

Berisha do që ky vend të mbetet siç ka qenë, një vend i pazhvilluar (sepse kështu ai sundohet më lehtë), një vend dhe një popull i përçarë për bindje politike dhe dasi krahinore (sepse kështu ai sundohet edhe me lehtë). Politika e Berishës gjithnjë ka synuar përçarjen e popullit dhe sundimin mbi të. Sot, përsëri, Berishës nuk i qan syri për të mirën e vendit dhe për mirëqenien këtij populli. Ai do vetëm pushtetin e tij.

Berisha është i amoruar me pushtetin, i ekzaltuar prej tij. Tani ai kërkon të kthehet sërish në pushtet, edhe si një alibi, edhe si një “mburojë” përballë qëndrimit përjashtues të administratës amerikane ndaj tij.

Pushteti si fron

Babushkat dhe ata që sot i shkojnë pas Berishës i bëjnë një shërbim të keq këtij vendi dhe këtij populli. Berisha është e shkuara. Një e shkuar dramatike dhe e dhimbshme për këtë vend. Shqipëria dhe shqiptarët sot kanë nevojë për një lidership të ri, pa këta që drejtojnë sot partitë politike.

Sa kohë do të kemi Berishën nëpër këmbë dhe sa kohë të kemi politikanë, të cilët pushtetin që u ka dhënë vota e qytetarëve e konsiderojnë si fronin e tyre të përjetshëm, pa ndier asnjë detyrim për t’u dhënë llogari qytetarëve, për aq kohë Shqipëria nuk do ta bëjë dot hapin e madh për të dalë nga rrethi vicioz i krizave të përsëritura dhe i agonisë që i ka bërë dhe i bën shqiptarët të pasigurt për të sotmen dhe për të ardhmen e tyre.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.