“18 DHJETORI”, MUNDËSIA E FUNDIT

Nga Namir LAPARDHAJA

Më 18 dhjetor, Partia Demokratike ka mundësinë e artë të mos përçahet, të shkundë çoroditjen e këtyre muajve dhe të bëjë një paqe të përgjithshme me veten, duke vijuar misionin e saj. Ndonëse ka pasur shumë akuza dhe kundërakuza, demokratët duhet ta kenë të qartë se një PD e përçarë nuk vjen kurrë në pushtet.

Mungesa e gjatë e rrotacionit, përçarja dhe shkatërrimi i opozitës, do të bënte që demokracia e brishtë shqiptare t’i humbasë të gjitha siguresat e garancisë. së saj. Demokratët duhet ta dinë se qorrsokaku ku është futur partia e tyre nuk i intereson shoqërisë, ndaj ata duhet të ngrihen mbi kimizmin vetjak, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe maturi, duke u shndërruar në njerëz që sakrifikojnë diçka nga vetja për të mirën e përgjithshme.

Partia Demokratike mund të ringrihet nga hiri i saj, por, për të ndodhur kjo, duhet kontributi i të gjithëve. Njerëzit janë në udhëkryq dhe PD-ja e ka mision historik për t’iu rikthyer atyre besimin dhe shpresën. Nëpërmjet transformimit të saj rrënjësor, duke përqafuar vlerat dhe virtytet, duke u shkëputur nga trashëgimia e saj më e keqe, duke kërkuar falje dhe duke premtuar mospërsëritje të gabimeve të së shkuarës.

Qytetarët shqiptarë janë të lodhur nga shembulli i hajdutit dhe i të korruptuarit. Ata kanë nevojë për një grup njerëzish normal, që janë të përunjur, që e shohin politikën si mision, në shërbim të njerëzve, që besojnë dhe luftojnë për institucione të forta dhe jo për liderë të tillë.

E gjithë elita e PD-së, të gjithë ata që janë përfshirë në një formë apo në një tjetër në përplasjet verbale të këtyre ditëve, u kanë borxh shqiptarëve të lënë mëritë dhe sherret, të mblidhen e të flasin me njëri-tjetrin, duke u parë në sy dhe duke i thënë të gjitha ato që mendojnë.

Trupa përfaqësuese e kësaj force politike duhet të punojë për një kontratë të re besueshmërie, duke u garantuar qytetarëve shqiptarë liritë thelbësore që ofron normaliteti politik, t’u sigurojnë kthimin e institucioneve të dhënies së drejtësisë, t’u ofrojnë barazi dhe mundësi të gjithëve për të shfaqur vetveten.

Partia Demokratike më 18 dhjetor ka mundësinë e madhe që edhe këtë të keqe që e ka kapluar ta shndërrojë në të mirë të vetes, në pastrim të imazhit dhe ‘catharsis’ shpirtëror, në rikonceptim të filozofisë, narrativës dhe aksionit të saj.

Ky 18 dhjetor duhet t’i shërbejë PD-së për të qartësuar aleancat e saj strategjike, sepse rruga e vetme që ajo të vijë shpejt në pushtet është vetëm mbështetja nga miqtë euroatlantikë dhe një koalicion i madh me qytetarët dhe vlerat e këtij vendi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.