Zëdhënësi i BE, Peter Stano jep detaje për takimin Kurti-Vuçiç

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka njoftuar se takimi i 19 korrikut mes Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në Bruksel, në fokus do të ketë të arriturat e deritashme në dialog. Takimet dypalëshe mes delegacioneve dhe përfaqësuesve të BE-së nisin në ora 14.00, ndërsa pas tyre takimet trepalëshe zgjasin deri në ora 18.00, transmeton “Bota Sot”.

“Fillimisht, do mbahen takime të ndara të delegacioneve me ndërmjetësuesit Borell e Lajçak, ndërsa pastaj do të pasojë takimi mes delegacioneve dhe ndërmjetësuesve që planifikohet të zgjasë deri në ora 18.00, por rrjedha dhe zgjatja nuk mund të parashikohen.
Ky takim do të fokusohet në përparimin e arritur dhe për hapat në të ardhmen si të rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Stano.

Pas paralajmërimit nga Brukseli se raundi i dytë i bisedimeve mes Kurtit edhe Vuçiçit duhet të jetë i përgatitur mirë në nivelin e ekspertëve, zëdhënësi Stano nënvizon se nuk përfshihen takimet publike në Bruksel.

“Me rëndësi të ketë vazhdimësi dhe jo kthim prapa”, nënvizojnë në Bruksel.

Në njoftim thuhet se i dërguari special Lajçak, në bazë të bisedimeve në nivelin e ekspertëve dhe konsultimeve shtesë, do të prezantojë fushat në të cilat është i mundshëm përparimi.

Në qarqet diplomatike në Bruksel thonë se të dy palët në dialog, si Beogradi, ashtu edhe Prishtina e dinë se çështjet e hapura është mirë të zgjidhen dhe të arrihet tek konsensusi dhe kompromisi për normalizimin e raporteve.

Marrëveshja juridike obliguese për normalizimin e raporteve synon që secilin muaj të organizohen takime dypalëshe në Bruksel, kanë thënë nga selia e BE-së.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.