Xhaçka: Kostoja e izolimit të BP, më e lartë se e integrimit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Forumin e Dubrovnikut me temë “Gjeopolitika Post-Pandemike: Së bashku në një botë veçmas”.

Në panelin “Komuniteti ndërkombëtar dhe Ballkani Perëndimor: Si t’i japim fund karantinës”, ministrja Xhaçka nënvizoi rëndësinë e reformave të ndërmarra në Shqipëri, si pjesë e proceseve integruese dhe transformuese.

Ajo e krahasoi karantinën e popujve për shkak të pandemisë me karantinën izoluese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të mosmarrjes së një vendimi për zgjerimin nga BE.

Sipas zonjës Xhaçka, BE duhet të jetë e vetëdijshme se kostoja e izolimit të Ballkanit Perëndimor është shumë herë më e lartë se kostoja e integrimit.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e merituan të merrnin një datë për Konferencën e parë ndërqeveritare. Pavarësisht se u premtua, kjo datë nuk u dha dhe nuk dihet ende kur kjo konferencë mund të mbahet.

Megjithatë ne nuk jemi të demovituar. Përkundrazi, ekziston një motiv i përbashkët midis vendeve të rajonit tonë për të mos iu dorëzuar karantinës së integrimit, por për të punuar së bashku, me synimin e qartë të ndërtimit të Evropës brenda hapësirës sonë të përbashkët”, u shpreh ajo.

Në panel merrnin pjesë përfaqësuesi i lartë i BE, Joseph Borrel dhe ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.