Integrimi/ Soreca: Sa më shpejt të nisim bisedimet, aq më shumë goditet krimi

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, thotë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim do të përshpejtojë përballjen e drejtësisë me krimin e organizuar dhe peshqit e mëdhenj në Shqipëri.

Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi, në emisionin “Përballë”, Soreca tha:

“Është një çast i rëndësishëm, sepse kjo do ta lejojë Shqipërinë, domethënë agjencitë e BE-së, që të përshpejtojnë nivelin e ndërhyrjeve, por edhe mënyrat e ndërhyrjeve. Sa më shpejt që të fillojmë bisedat për anëtarësim, aq më shumë do ta godasim krimin e organizuar dhe pasuritë që janë krijuar në formë të jashtëligjshme. Kështu që unë shoh një përshpejtim të shpejtë pasi të fillojnë këto bisedime”, shtoi ai.

Ambasadori Soreca foli edhe për rezultatet e para të konceptit “Ndiq paranë”, që sipas tij, po shënjon pikënisjen e luftës me krimin dhe pasuritë e jashtëligjshme.

“Ju ndoshta e mbani mend që në intervistën tonë të parë ne kemi folur për konceptin ‘Ndiq paranë’. Kjo gjë po ndodh tashmë. Besoj që ju ku i keni vënë re disa raste, edhe raste të një profili të lartë, ku sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve, i pasurisë që është arritur me origjinë të jashtëligjshme, po punohet. Edhe SPAK-u, edhe BKH-ja, po punojnë edhe më shumë për këtë çështje.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka instruktuar prokurorët të përqendrohen te konfiskimi. Dhe siç e dini, ju e njihni edhe vetë, për mua kjo është pikënisja, pikënisja e luftës, e goditjes së krimit të organizuar dhe të pasurisë së jashtëligjshme. Pra, kjo po ndodh gjithnjë e më shumë, çdo ditë” tha Soreca. /RTSH

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.