Shqipëria dështon për herë të 7-të me negociatat/ Ja vendet skeptike
Pas mbledhjes online të ministrave për Europën të vendeve të BE-së ditën e djeshme, tashmë nuk ka më shpresë që Shqipëria të marrë një dritë jeshile në samitin e ditës së enjte dhe të premte për çeljen e negociatave.
Po ashtu, edhe për Maqedoninë e Veriut.
Kjo shënon herën e shtatë që Shqipëria refuzohet të nisë negociatat me BE-në për integrimin, qëkur vendi ynë është bërë vend me statusin kandidat. Në fakt, edhe këtë dhjetor shpresat nuk ishin të shumta, pasi situata u kuptua që në muajin tetor kur Parlamenti holandez pas një diskutimi të brendshëm, vendosi që nuk do të votonte pro nisjes së negociatave me Shqipërinë.
Përmes një postimi në “Twitter”, deputeti Pieter Omzigt shkroi në tetor se qëndrimi i Holandës është diktuar nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe vakancat në Gjykatën e Lartë.
Përpos Holandës, vende skeptike ndaj Shqipërisë se nuk ka bërë përparime të duhura janë edhe Danimarka, Franca e Spanja. Por teksa Holanda e shprehu qartë se shkak për të mos dhënë votën pro çeljes së negociatave është mungesa e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri dhe Reforma Zgjedhore e njëanshme, Kryeministri Rama në deklaratat publike është shprehur se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë por që vendet e BE-së përdorin çështjen e zgjerimit për politikën e tyre të brendshme.
Sorry, the comment form is closed at this time.