Parlamenti Evropian pritet të miratojë nesër raportin për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në BE, Viola von Cramon, tha se, nesër (e enjte) pritet që Parlamenti Evropian të miratojë raportin e saj për Kosovën.

Më herët, raportin e saj e ka miratuar Komisioni i PE-së për Punë të Jashtme.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Cramon shkruan se, debati mbi raportin e saj do të fillojë rreth orës 11:00.

Me 50 vota pro, 10 kundër dhe 9 abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i PE-së ka miratuar në muajin shkurt raportin për Kosovën.

Në këtë dokument u bëhet thirrje edhe një herë pesë shteteve të BE-së – që nuk e kanë njohur Kosovën – ta bëjnë një gjë të tillë.

Këto 5 vende janë: Spanja, Sllovakia, Rumania, Qipro dhe Greqia.

Përmes një njoftimi për mediat nga PE, pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane. Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jo stabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.

Anëtarët e PE-së kanë përsëritur thirrjet që raportet e Kosovës me Serbinë të mbetet prioritet dhe kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Ata kanë kërkuar nga qeveritë e të dyja shteteve që të përmbahen nga çfarëdo veprime që mund të pengojnë krijimin e besimit mes palëve, që do ta vinin në rrezik vazhdimin konstruktiv të dialogut.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.