Para në këmbim të refugjatëve, BE ofron të tjera miliarda për Turqinë

Bashkimi Evropian ka miratuar një plan ndihme financiare prej 3.5 miliardë eurosh për Turqinë në tre vitet e ardhshme në këmbim të mbajtjes mbyllur të kufijve për refugjatët sirianë. Shuma mund të shtohet edhe më tej pas krizës në Afganistan.

BE i ka përsëritur ofertën Turqisë edhe në këtë rast, por nuk janë dhënë më shumë detaje se sa para do t’i ofrojë këtë herë në këmbim që Ankaraja të mbajë brenda kufijve të saj edhe afganët.

Ky qëndrim i Brukselit ka nxitur protesta nga opozita turke. Ajo thotë se vendi është duke strehuar aktualisht mbi 4 milionë refugjatë, kryesisht sirianë, ndërsa deklarata se Turqia nuk mund të kthehet në një vend depozitimi për BE-në janë lëshuar edhe nga përfaqësues të partisë në pushtet.

Propozimi për Turqinë është pjesë e strategjisë së BE-së për të mbajtur jashtë kufijve të vet refugjatët. 2.2 miliardë euro të tjera janë dhënë për Jordaninë dhe Libanin, ndërsa bisedime për një pakt të ngjashëm janë synuar edhe me Tunizinë dhe Libinë.

Marrëveshja e kritikuar

Qeveritë e BE nënshkruan marrëveshjen me Ankaranë pesë vjet më parë në një përpjekje për të frenuar fluksin e emigrantëve në brigjet evropiane.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar prej kohësh marrëveshjen, duke akuzuar bllokun prej 27 anëtarësh për delegim të kompetencave të politikave të azilit drejt Turqisë.

Amnesty International qortoi zyrtarët e BE-së për arritjen e një marrëveshjeje “bazuar thjesht në komoditetin politik pa u kujdes për koston e pashmangshme njerëzore”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.