Hupin: Sanksionet ndaj Rusisë, jo fajtore për rritjen e çmimeve

Agresioni rus në Ukrainë është pasuar nga një valë e gjerë lajmesh të rreme në media sociale dhe llogari të ndryshme në aplikacione me shumë ndjekës, si pjesë e propagandës së Kremlinit.

I ngarkuari me punë i BE në Tiranë, Alexis Hupin, tha për “Zërin e Amerikës”, se dezinformimi që e lidh krizën energjitike dhe atë të ushqimeve me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, nuk po gjen terren në Shqipëri. Po ashtu edhe gazetarë e analistë vërejnë me shqetësim, se lufta në Ukrainë po shoqërohet me një betejë në mediume të ndryshme në internet.

Agresioni rus në Ukrainë po shoqërohet me një përpjekje të shtuar të Kremlinit, për të zgjeruar keqinformimin dhe propagandën përmes medias sociale dhe llogarive të rreme në aplikacione të ndryshme më shumë ndjekës. Kjo ka nxitur përfaqësues të BE, të rrisin përpjekjet për t’ju kundërvënë këtij dezinformimi. Përmes një portali të posaçëm të ballafaqohen të pavërtetat me të vërtetat rreth agresionit rus në Ukrainë, luftës që po zhvillohet që prej shkurtit të këtij viti dhe ndikimit të saj në tregjet ekonomike.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës i ngarkuari me punë i delegecionit të BE në Shqipëri Alexis Hupin thotë se në lidhje me këto dezinformime po monitorohet nga afër edhe situata në Shqipëri dhe konstatohet se ato nuk po depërtojnë. Diplomati i Brukselit thotë se kjo me shumë gjasa vjen nga fakti, se vendi ka një orientim euro-atlantik, që siç thotë ai, e bën publikun dhe median të qëndrueshme dhe elastike ndaj dezinformimit që tenton të përhapet në vend.

“Jemi dëshmitarë të rezistencës, për të mos rënë në kurthin e dezinformimit dhe veçanërisht në dritën e situatës së vështirë që po jetojnë njerëzit me rritjen e çmimeve të energjisë, por edhe me rritjen e çmimeve të ushqimeve. Ka një tendencë për të rënë pre e dezinformimeve dhe me këtë dua të them, që bëhet një lidhje mes rritjes së çmimeve dhe sanksioneve kundër Rusisë. Ne e dimë me siguri se nuk ka lidhje mes sanksioneve dhe rritjes së çmimeve. Në të vërtetë, sanksionet janë hartuar me shumë kujdes, që të mos prekin ushqimet apo plehrat kimike, por ekziston një përpjekje nga disa për ta përhapur këtë dezinformim. Ndërsa ky dezinformim po fiton terren në pjesë të tjera të botës, ajo çka shohim për momentin në Shqipëri është një rezistencë e mirë, dhe ne sigurisht shpresojmë që të vazhdojë të jetë kështu në lidhje me çështjen specifike të luftës kundër Ukrainës”, – tha Alexis Hupin, i ngarkuari me punë i BE në Shqipëri.

Zyrtari i delegacionit të BE në Shqipëri thotë, se dezinformimi ka patur një ndikim të madh në vende të tjera të botës, veçanërisht në Azi dhe Afrikën e Veriut, lidhur me qasjen në ushqime, si pasojë e narrativës në shumë nga këto vende se rritja e çmimeve dhe mungesa e ushqimeve kanë ardhur nga sanksionet. Verifikues të fakteve në Shqipëri konstatojnë, se lufta në terren pas agresionit rus në Ukrainë, po shoqërohet me një betejë edhe në median sociale, mes të pavërtetave që prodhohen nga qeveria ruse dhe lajmeve të vërteta që vijnë nga burime të besueshme që verifikojnë faktet. Përmes llogarive të rreme në aplikacione të ndryshme këto të pavërteta shpërndahen me shpejtësi duke krijuar paqartësi dhe ndasi në opinion. Faktoje.al pjesë e rrjetit ndërkombëtar për verifikimin e fakteve ka evidentuar disa prej tyre si pjesë të propagandës ruse.

“Një ndër lajmet mbi të cilat Faktoje.al ka punuar është një deklaratë e përsëritur e Ambasadës ruse në Tiranë, por edhe e Ministrisë se Jashtme ruse, sipas së cilës 150 mercenarë shqiptarë po luftonin në Ukrainë. Kur janë pyetur nga Faktoje.al nuk kanë patur asnjë reagim. Ne kemi pyetur dhe Ministrisë e Jashtme shqiptare dhe atë të brendshme të cilat deklaruan se ky është një informacion i pavërtetë”- tha për Zërin e Amerikës Klodiana Kapo, drejtuese e Faktoje.al.

Politologu Ilir Kalemaj, i tha Zërit të Amerikës, se Rusia prej disa vitesh ka kultivuar ato që njihen si ushtri propagandistike në internet, për të krijuar dezinformim në shoqeritë perëndimore, që sipas tij ka prekur dhe vendet e ballkanit perëndimor.

“Lajmet e rreme janë kryefjala e dezinformimit sot dhe natyrisht që krijojnë ato që quhen të vërteta paralele, apo të vërteta alternativë, të cilat nuk i përgjigjen fakteve. Ato krijojnë narracione që kanë pikënisjen fillestar përçarjen e faktorit perëndimor dhe zbehjen e fuqisë së tij globale”- tha Ilir Kalemaj, politolog.

Por nëse lufta në terren një ditë mund të përfundojë beteja me dizinfomacionin do të jetë e gjatë dhe shumëdimensionale. I ngarkuari me punë i BE në Shqipëri i tha Zërit të Amerikës, se përjekjet e qeverive perëndimore janë fokusuar tek ndërgjegjësimi në media, programet e veçanta në shkolla, dhe financimi i rrjeteve që verifikojnë faktet.

“Ne i financojmë ata plotësisht në mënyrë që të ndihmohet rritja e ndërgjegjësimit dhe siç , po përpiqemi të ndikojmë te brezi i ri. Duke pasur edhe vetë fëmijë, i kuptoj vështirësitë e brezit të ri në mediet sociale për të bërë dallimin mes informacionit të besueshëm dhe informacionit më pak të besueshëm. Shohim veçanërisht përhapje të madh të dezinformimit në llogari të rreme me shumë ndjekës. Ndërgjegjësimi mbi median është diçka që ne po përpiqemi ta çojmë përmes programeve nëpër shkolla”- u shpreh Alexis Hupin, i ngarkuari me punë i BE në Shqipëri.

Dezinformimi është një armik i së vërtetës thonë analistët dhe ai duhet luftuar më të gjitha mjetet e nevojshme. Sot në kohën e përdorimit të teknologjisë së përparuar shpejtësia e përhapjes së lajmeve të rreme është e lartë, ndaj dhe përpjekjet për t’ju kundërvënë atyre bëhën edhe më të vështira./ VOA

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.