Integrimi/ Spanja, Holanda e Danimarka: “Po” negociatave me Shqipërinë

Pas dritës jeshile që dha Holanda, dy shtete të tjera konfirmojnë “po”-në për Shqipërinë.

Holanda ka konsoliduar zyrtarisht vlerësimin pozitiv të përmbushjes së kushteve për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, edhe me mbështetjen e Parlamentit holandez.

Por ajo nuk është e vetme.

“Abc News” ka mësuar nga burime zyrtare se Parlamenti i Danimarkës nuk është bërë pengesë për vendimin pozitiv të qeverisë së Danimarkës lidhur me hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Burime daneze kanë thënë se Parlamenti i Danimarkës nuk i është kundërvënë vendimit të qeverisë daneze për dritën jeshile lidhur me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë.

Në këtë vendim, qeveria daneze mbështet raportin e Komisionit Evropian të prezantuar në 12 maj në Këshillin e ministrave të Bashkimit Europian, duke vlerësuar se Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm për mbajten e Konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Gjithashtu, burime zyrtare spanjolle kanë bërë të ditur qëndrimin zyrtar të Spanjës.

Spanja e mbështet raportin e Komisionit Evropian të 12 majit, sipas të cilit kushtet për mbajten e Konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri janë përmbushur.

Po sipas të njëjtave burime, Spanja konsideron se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progres lidhur me reformat e integrimit dhe meritojnë fiksimin e një date për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur.

Spanja kundërshton ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, ashtu si shumë shtete të tjera të Bashkimit Evropian.

Edhe nëse arrihet unanimiteti lidhur me vlerësimin pozitiv për Shqipërinë, çështja e aprovimit të kuadrit negociues me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbahet aktualisht pezull nga Bullgaria, për shkak të vetos që i ka vendosur Maqedonisë së Veriut. Kjo veto ka të bëjë me pretendime të autoriteteve bullgare për çështjen e gjuhës dhe historisë lidhur me Maqedoninë e Veriut.

Pa miratimin e kuadrit negociues, nuk mund të fiksohet një datë për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare.

Rrjedhimisht, takimi i 22 qershorit, siç e ka njoftuar paraprakisht “ABC”, nuk pritet të prodhojë vendim lidhur me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare. Kjo ka më shumë gjasa të ndodhë gjatë Presidencës sllovene, që merr kryesinë e Bashkimit Evropian nga 1 korriku deri në 31 dhjetor 2021.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.