Hagë/ Gjyqi ndaj Mustafës do të nisë nesër, në orën 09:30

Gjykata Speciale ka njoftuar se është caktuar që gjykimi i parë në çështjen gjyqësore të Salih Mustafës do të nisë më 15 shtator, në orën 9:30.

Mësohet se gjykimi do të bëhet në mjediset e DHSK-së në Hagë dhe do të transmetohet me një vonesë prej 45 minutash, për arsye teknike. Këtë gjë e ka bërë me dije vetë Gjykata Speciale me anë të një njoftimi.

“Aktakuza kundër z. Mustafa u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni përfundimtar u bë publik më 28 shtator 2020. Kundër tij janë ngritur akuza mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë penale si epror për katër krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill 1999. Në ditën e parë, Kryegjykatësja e Trupit Gjykues do të çelë gjykimin, do të kërkojë që të akuzuarit t’i lexohet aktakuza, do ta informojë të akuzuarin për të drejtat dhe obligimet e tij dhe do ta pyesë të akuzuarin nëse e ka kuptuar aktakuzën dhe nëse dëshiron t’i qëndrojë deklarimit të tij të mëhershëm. Në këtë çështje i akuzuari është vetëdeklaruar i pafajshëm,”- thuhet në njoftim.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.