Sejko: BSH do të punojë me standardet e BE-së

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë të zhvilluar për mediat, sëbashku me shefen e misionit të FMN-së, Yan Sun, tha se ekonomia shqiptare është ende në një fazë rimëkëmbjeje.

Sejko bëri me dije se reformat strukturore kanë dhënë rezultate pozitive, duke shtuar BSH do të punojë me standardet e BE-së për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar.

“Sikundër jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit, Banka e Shqipërisë dhe autoritetet shqiptare kanë qenë të angazhuara në diskutime intensive me misionin e FMN-së, të kryera në kuadër të Artikullit IV. Këto diskutime kanë pasur në fokus të tyre si sfidat aktuale me të cilat përballet ekonomia shqiptare në rrugën e saj drejt rimëkëmbjes, ashtu edhe reformat strukturore, të cilat do të mundësonin një zhvillim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të vendit në planin afatgjatë.

Me kënaqësi konstatoj se Banka e Shqipërisë dhe Misioni ndajnë pikëpamje të ngjashme mbi zhvillimet aktuale ekonomike dhe financiare, mbi kahun e pritur të këtyre zhvillimeve në të ardhmen, si dhe mbi qëndrimin që duhet të mbajnë politikat fiskale, monetare dhe makroprudenciale, ndaj sfidave që kemi përpara.

Në vijim, më lejoni t’ju prezantoj shkurtimisht vizionin e Bankës së Shqipërisë mbi temat që preka më sipër.

Të dhënat e disponuara, të përftuara gjatë nëntë muajve të parë të vitit, sugjerojnë se ekonomia shqiptare është në një fazë rimëkëmbjeje. Kjo rimëkëmbje ka rezultuar më e shpejtë se projeksionet tona dhe është mbështetur nga një gamë e gjerë faktorësh. Reduktimi i kufizimeve si pasojë e procesit të vaksinimit, përmirësimi i besimit të biznesit dhe të familjeve shqiptare, rritja e kërkesës së huaj, si dhe stimuli monetar dhe fiskal, kanë mbështetur rikuperimin e shpejtë të konsumit, të investimeve dhe të eksporteve.

Në këtë ecuri, një rol esencial pati stimuli i koordinuar fiskal dhe monetar, si dhe lehtësimi i përkohshëm dhe i targetuar i rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar. Këto masa reduktuan barrën financiare të goditjes mbi bizneset dhe familjet shqiptare. Në këtë mënyrë, ato i dhanë frymëmarrje bizneseve në luftën e tyre për mbijetesë, frenuan rritjen e ndjeshme të papunësisë, si dhe krijuan premisa për një rimëkëmbje të shpejtë e të qëndrueshme të ekonomisë me përfundimin e pandemisë.

Në të njëjtën linjë, reformat strukturore që kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit për rritjen e qëndrueshmërisë dhe të eficiencës së sistemit financiar, dhanë frytet e tyre. Ndër të tjera, këto reforma synuan dhe arritën një përdorim më të madh të monedhës kombëtare në transaksionet financiare, reduktimin e kredive me probleme, konsolidimin e sektorit bankar, si dhe përmirësimin e mëtejshëm të rregullimit dhe mbikëqyrjes së sistemit financiar në përgjithësi, dhe të sektorit bankar në veçanti. Implementimi në kohë i tyre, i mundësoi sektorit bankar të përballojë një pjesë të konsiderueshme të faturës financiare të krizës, si dhe të vazhdojë të ushqejë me kredi me kosto të ulët ekonominë shqiptare.

Zgjerimi i kërkesës ka ndihmuar rikuperimin e prodhimit vendas, duke e sjellë atë pranë niveleve të parakrisës. Megjithatë, ky rikuperim nuk është ende i plotë në tregun e punës, ku niveli i punësimit është poshtë vlerave të regjistruara përpara pandemisë dhe ku rritja e pagave është ende e pamjaftueshme për të kthyer inflacionin në objektiv.

Për këtë arsye, inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, me gjithë volatilitetin e shfaqur gjatë vitit të fundit. Së fundmi, ecuria e tij është bërë subjekt i goditjeve të ofertës, të cilat kanë ardhur nga rritja e çmimit të ushqimeve, të produkteve energjetike dhe të lëndëve të tjera të para në tregun botëror. Sipas informacionit që vjen nga tregjet dhe analizave tona, efekti i këtyre goditjeve pritet të jetë kalimtar, por ai përbën një element shtesë pasigurie.

Duke parë nga e ardhmja, projeksionet tona për ecurinë e ekonomisë shqiptare mbeten pozitive. Në mungesë të goditjeve, aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet gjatë viteve në vijim. Ndonëse ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim, ai do të jenë i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm për të gjeneruar një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese, rritje të punësimit e të pagave, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Ky skenar zhvillimesh rrethohet nga rreziqe të kahut të poshtëm në afatin e shkurtër. Në veçanti, përkeqësimi i mundshëm i situatës epidemiologjike apo rritja e çmimeve në tregjet botërore mund të sjellin efekte negative në ecurinë e ekonomisë botërore dhe të asaj shqiptare. Nga ana tjetër, balanca e rreziqeve shfaqet më simetrike në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Banka e Shqipërisë gjykon se materializimi i zhvillimeve të skenarit bazë do të kërkojë një normalizim gradual të stimulit ekonomik. Ky normalizim do të mundësojë një balancë më të mirë midis rritjes ekonomike dhe stabilitetit monetar e financiar të vendit, si dhe do të rikrijojë hapësirat e nevojshme për përballimin e goditjeve të tjera potenciale në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë vlerëson se procesi i normalizimit duhet të jetë i kujdesshëm, i kushtëzuar nga shpejtësia e rimëkëmbjes dhe qëndrueshmëria e burimeve të rritjes ekonomike, si dhe i koordinuar midis politikave dhe instrumenteve të përdorura.

Banka e Shqipërisë mbështet një reduktim progresiv – por të qartë dhe të qëndrueshëm – të stimulit fiskal. Zhvendosja e fokusit të politikës fiskale drejt konsolidimit dhe reduktimit të borxhit publik, do të ndihmojë në reduktimin e primeve të rrezikut në tregjet financiare. Gjithashtu, konsolidimi fiskal do të rrisë hapësirat për përballimin e goditjeve në të ardhmen.

Nga ana tjetër, vlerësimet tona sugjerojnë se politika monetare duhet të vijojë të mbetet akomoduese. Stimuli monetar do të vijojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme për rikuperimin e ekonomik dhe do të lehtësojë procesin e konsolidimit fiskal. Goditjet aktuale të ofertës nuk pritet të rrezikojnë stabilitetin e çmimeve në afatin e mesëm dhe, si të tilla, nuk kërkojnë ndërhyrje të politikës monetare. Megjithatë, Banka e Shqipërisë do të mbetet e vëmendshme për të vlerësuar ndikimin, kohëzgjatjen dhe transmetimin e këtyre goditjeve në ekonominë tonë. Kjo do të na ndihmojë të përshtatim në vazhdimësi qëndrimin e politikës sonë monetare me respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve.

Së fundi, gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë ka normalizuar tërësisht masat e përkohshme lehtësuese makroprudenciale. Vëmendja jonë në të ardhmen do të jetë te monitorimi i kujdesshëm i pasojave të pandemisë në bilancet e sektorit bankar, identifikimi në avancë i problemeve potenciale dhe marrja në kohë e masave korrektuese.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë do të vijojë të punojë për përafrimin e kuadrit të saj mbikëqyrës e rregullator me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe – në bashkëpunim me aktorët e tjerë institucionalë – për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar dhe për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave.

Në mbyllje, dëshiroj të falënderoj Misionin e FMN-së për bisedimet e frytshme, të zhvilluara në një frymë konstruktive dhe transparente, si dhe t’i uroj Ministres së re të Financave dhe Ekonomisë suksese në punën e saj”, tha Sejko.

Nga ana tjetër shefja e misionit të FMN-së Yan Sun, deklaroi se rreziqet fiskale janë në rritje dhe se duhen menaxhuar më mirë si PPP edhe garancitë shtetërore.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.