Banka e Zhvillimit e KE, 15 milionë euro në mbështetje të punësimit në Shqipëri
Banka e Zhvillimit e Këshillit të Evropës (CEB) ka miratuar një hua prej 15 milionë euro për bankën e nivelit të dytë në Shqipëri “ProCredit Bank Albania” për t’u siguruar ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM) hyrjen në financimin afatgjatë dhe, në këtë mënyrë, për të mbështetur punësimin.
NVM-të luajnë rol kryesor në ekonominë e Shqipërisë, pasi punësojnë rreth 80% të fuqisë punëtore të sektorit jo-financiar.
Të kesh akses në kredi afatgjatë është një nga mundësitë kryesore të rritjes së NVM-ve, dhe në këtë menyrë, edhe të krijimit dhe mirëmbajtjes së vendeve të punës në tregun vendas, si faktor kyç për të zbutur ndikimin e dy goditjeve të fundit në ekonominë shqiptare: tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga Covid-19.
“Krijimi dhe ruajtja e vendeve të punës është një nga përparësitë kryesore të CEB, aq më shumë tani, kur vendet tona anëtare përpiqen të rikuperohen nga kriza e Covid-19. Prandaj jemi të kënaqur që mbështesim aktivitetet sipërmarrëse dhe punësimin në Shqipëri, në bashkëpunim me ‘ProCredit Bank Albania’. Grupi ‘ProCredit’ është një partner i vlefshëm i CEB për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vendet e grupit tonë të synuar në Evropën Qendrore dhe Lindore”, tha Guvernatori i CEB, Rolf Wenzel.
Kredia do të financojë investimet e NVM-ve dhe kapitalin e punës, si dhe do të kontribuojë në zbutjen e përkeqësimit të mëtejshëm të tregut të punës për shkak të Covid-19.
Rreth 100 projekte pritet të përfitojnë nga financimi, veçanërisht në sektorët e tregtisë dhe të prodhimit.
CEB ishte nga institucionet e para që reagoi pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri. Ajo akordoi një grant prej 500 mijë eurosh dhe u angazhua për një kredi 100 milionë euro gjatë Konferencës së Donatorëve, më 17 shkurt 2020, në Bruksel.
Sorry, the comment form is closed at this time.