Gjonaj në Gjykatën e Durrësit: Reformimi i drejtësisë të arrijë direkt tek qytetarët
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi sot një diskutim të hapur me kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Markelian Koça, për projektin e hartës së re gjyqësore të Shqipërisë
“Pas realizimit të pjesës strukturore institucionale të Reformës në Drejtësi, tani po mundohemi që jo vetëm nëpërmjet iniciativave legjislative, por edhe përmes veprimeve operacionale që duhen kryer nga institucionet e drejtësisë, të sigurojmë efektshmërinë e sistemit me qëllim që gjithë ky reformim i madh të arrijë direkt tek qytetarët”, tha Gjonaj.
Sipas saj, duke mbajtur në konsideratë që disa gjykata kanë një numër më të pakët gjyqtarësh, sidomos në nivel apeli ku numri është përgjysmuar dhe për shkak të procesit të vettingut, po punojmë dhe kemi patur edhe disa diskutime me KLGJ për mënyrën sesi harta gjyqësore duhet të shtrihet.
“Padyshim që kemi një infrastrukturë rrugore më të mirë se shumë vite më para, por është shumë i rëndësishëm fakti që shtrirja e shumë gjykatave jo vetëm i jep jetë qyteteve, por edhe nga ana tjetër lehtëson mundësinë e aksesit të shtetasve në gjykatë. Gjithashtu e njëjta situatë vlen edhe për Gjykatat e Apelit.
Kam dijeni që KLGJ ka bërë një komunikim me gjithë kryetarët e gjykatave për hartën e re gjyqësore, për të kuptuar cila është koncepti i KLGJ-së si ide fillestare dhe më pas propozimi përfundimtar niset nga Ministri i Drejtësisë në Këshillin e Ministrave”, theksoi ministrja Gjonaj.
Sorry, the comment form is closed at this time.