Statistikat e “Eurostat” për pagën minimale, ku renditet Shqipëria
Shqipëria rezulton vendi që ka pagën minimale më të ulët në Evropë, sipas një publikimi të sotëm të Eurostat, për të dhënat që i referohen tremujorit të dytë të vitit 2020.
Në nivelin e 210 eurove, paga minimale është më e ulët se në Serbi (344 euro), Mal të Zi (331 euro) dhe në Maqedoni, (282 euro, që i referohet fundit të 2018-s). Të dhënat për Kosovën mungojnë.
Nga 1 janari, paga minimale në vend është rritur në 30 mijë lekë, apo rreth 240 euro, por sërish vijon të mbetet më e ulëta në Evropë.
Rritja e pagës minimale është vënë në qendër të fushatës elektorale të partive politike në prag zgjedhjesh, ndërsa bizneset shpesh janë ankuar se kjo është një kosto shtesë për ta, për sa kohë që është e sforcuar dhe nuk vjen nga rritja e produktivitetit të ekonomisë dhe sipërmarrjeve.
Sipas Eurostat, 21 shtetet anëtare të BE-së që kanë pagat minimale kombëtare mund të ndahen në tre grupe kryesore, bazuar në nivelet e tyre në euro.
Në janar 2021, dhjetë shtete anëtare, në lindje të BE-së, kishin paga minimale nën 700 euro në muaj: Bullgaria (332 euro), Hungaria (442 euro), Rumania (458 euro), Letonia (500 euro), Kroacia (563 euro), Çekia (579 euro), Estonia (584 euro), Polonia (614 euro), Sllovakia (623 euro) dhe Lituania (642 euro).
Në pesë shtete të tjera anëtare, kryesisht në jug të BE-së, pagat minimale varionin nga 700 euro dhe pak më shumë se 1100 euro në muaj: Greqia (758 euro), Portugalia (776 euro), Malta (785 euro), Sllovenia (1024 euro) dhe Spanja (1108 euro).
Në gjashtë shtetet e tjera anëtare, të gjitha në perëndim dhe veri të BE-së, pagat minimale ishin mbi 1500 euro në muaj: Franca (1 555 euro), Gjermania (1 614 euro), Belgjika (1 626 euro), Holanda (1 685 euro), Irlanda (1 724 euro) dhe Luksemburgu (2 202 euro).
Për krahasim, paga minimale federale në Shtetet e Bashkuara ishte 1 024 euro në janar 2021.
Sipas Eurostat, pagat minimale mund të maten gjithashtu në terma relativë, d.m.th. në raport me të ardhurat mesatare. Bazuar në të dhënat e fundit të disponueshme nga Anketa e Strukturës katërvjeçare të Fitimeve, në vitin 2018 pagat minimale përfaqësuan mbi 60% të fitimeve mesatare mujore bruto në vetëm katër Shtete Anëtare: Franca (66%), Portugalia (64%), Sllovenia ( 62%) dhe Rumania (61%). Në të kundërt, pagat minimale ishin më pak se gjysma e fitimeve mesatare në gjashtë shtete anëtare: Kroacia, Çekia dhe Letonia (të gjitha 49%), Spanja (44%), Malta (43%) dhe Estonia (42%).
Sorry, the comment form is closed at this time.